Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare John Bolton tha se nuk ka plane për ndërhyrje ushtarake të menjëhershme në Venezuelë nga Shtetet e Bashkuara, por sipas tij të gjitha opsionet mbeten në tavolinë.
Zoti Bolton tha se “Presidenti ka thënë se të gjitha opsionet janë në tavolinë. Por objektivi ynë është një transferim paqësor i pushtetit, “siç u shpreh ai. Administrata Trump po kërkon të detyrojë Presidentin e Venezuelës Nicolas Maduro të largohet nga pushteti dhe ka dhënë mbështetjen për udhëheqësin e opozitës, i vetëshpallur si president i përkohshëm i vendit.
Zyrtarët amerikanë kanë vendosur sanksione ndaj kompanisë shtetërore të naftës së Venezuelës dhe zoti Bolton ka paralajmëruar vende të tjera që të mos bëjnë marrëveshje me Nicolas Maduro-n lidhur me pasuri të tjera që disponon qeveria e Karakasit, sikurse është ari.
Një zyrtar i lartë i tha agjencisë “Reuters” se Venezuela planifikon që së shpejti t’i shesë 15 tonë ar Emirateve të Bashkuara Arabe. Zoti Bolton iu përgjigj njoftimit me një sërë postimesh tweeter të premten, duke akuzuar Nicolas Maduron “se po i çon jashtë pasuritë e Venezuelës duke mbushur aeroplanët”. Ai ngriti pyetjen nëse ky mund të konsiderohet një akt “vjedhjeje i burimeve” të popullit të Venezuelës.