Opozita u mblodh pasditen e sotme për afron 3 orë para Bashkisë së Tiranës për të protestuar kundër kryebashkiakut Erion Veliaj.
Protesta nisi e qetë, shoqëruar me fjalime të këshilltarëve bashkiakë të PD dhe PL, ndërsa paralelisht zhvillohej mbledhja e këshillit bashkiak online, ku mori pjesë edhe kryebashkiaku Erion Veliaj pasi doli nga SPAK, ku u mor në pyetje për 7 orë.
Por tubimi ka agravuar në momentin kur me protestuesit janë bashkuar edhe deputetët e opozitës, si Gazmend Bardhi, Flamur Noka e Luçiano Boçi, Albana Vokshi, Luan Baçi edhe të tjerë.
Qytetarët kanë shkulur gardhin metalik të vendosur përpara kordonit të policisë, ndërsa këshilltarët bashkiakë tentuan të mësyjnë brenda institucionit.
Nuk munguan as përplasjet fizike midis protestuesve dhe policisë, ndërsa molotovit dhe sendeve të forta që u hodhën në drejtim të tyre, efektivët iu kundërpërgjigjën duke përdorur gazin lotsjellës.
Ndërkohë, një prej protestuesve që hidhte sende të forta, është arrestuar nga policia.
Nga ana tjetër, organizatorët dhe uniformat blu kanë bërë thirrje me megafon për të ndalur hedhjen e gurëve në drejtim të efektivëve të policisë.
Pas tre orësh, opozita e mbyll protestën duke njoftuar se protesta e radhës do të jetë ditën e martë në orën 11:00.
Ndërkohë, tubimi i sotëm ka qenë më i tensionuar se katër të mëparshmit.