Mbrojtësi i kombëtares italiane, Leonardo Bonucci, i cili shënoi golin e barazimit në finalen e “Euro 2020”, duke barazuar avantazhin e hershëm, qysh nga tuneli, të anglezëve, me të drejtë u shpall lojtari i ndeshjes nga UEFA. Ai nuk gaboi edhe nga pika e bardhë, pas 120 minutave lojë, prej nga erdhi trofeu i shumëlakmuar. Veterani i Juventusit u paraqit në konferencën për shtyp, pas finales, së bashku me trajnerin Roberto Mancini.
Edhe aty dha “show”, teksa u fut me një shishe Coca Cola dhe një birrë Heineken në dorë, dy sponsorët e kompeticionit. Si për të kundërshtuar shokun e skuadrës, Cristiano Ronaldo, videoja e të cilit u bë hit, teksa largoi shishet e pijes së njohur dhe tha “pini ujë”, Bonucci pinte nga të dyja shishet. Pra, përziente Coca Cola dhe Heineken. Një koktej i momentit për të festuar triumfin e madh. Në vazhdim nxjerr celularin dhe bën selfie me trajnerin Mancini, duke përjetësuar një nga momentet më të lumtura të jetës së tij.