Sport Bonucci: Sarri i vështirë dhe inteligjent. Ronaldo, një “makineri lufte”

Bonucci: Sarri i vështirë dhe inteligjent. Ronaldo, një “makineri lufte”

Favorit, por jo i sigurt në çerekfinale. Ky është mendimi i Bonucci për skuadrën e tij, e cila do të përballet nesër me Lionit në Ligën e Kampionëve. Mbrojtësi bardhezi, i intervistuar nga “L’Equipe”, e mban alarmin ndezur te të tijtë, në mënyrë që të mos flihet mbi dafina…

Duke u bazuar te finalet e Champions-it, të humbura vitet e fundit, por edhe rivaliteti i titullit në Serie A me Lazio dhe Inter, kapiteni kërkon më të mirën nga Juventusi në çdo ndeshje të mbetur të sezonit: “Unë nuk e mohoj që jemi favoritë ndaj Lionit, por kaq nuk mjafton t’i fitoni ndeshjet. Ne do të duhet të jemi të kthjellët në mënyrën tonë të përgatitjes së lojës.

Do të ishte mirë të shënonim në Lion, duke e lehtësuar kualifikimin në kthim. Kundërshtari ka një stadium të zjarrtë dhe lojtarë të rinj, që do të duan të paraqiten mirë kundër Juventusit. Po ashtu, Lion drejtohet nga një trajner, që ka punuar në Itali dhe di t’i përgatisë këto lloj ndeshjesh. Ndeshjet e Ligës së Kampionëve janë speciale, ku cilësia e skuadrave në garat e brendshme llogaritet deri në një pikë të caktuar. Është çështje mentaliteti, e muzikës që ju galvanizon në Champions. Në Francë ka shpesh lojtarë më pak të njohur, por kur përballeni me to kuptoni se janë të fortë, të talentuar, të rinj dhe nuk kanë asgjë për të humbur. Pra, kërkohet shumë kujdes”.

Ronaldo

Sidoqoftë, Juventusi mund të përfitojë nga përvoja e dy finaleve të humbura. Tani ka në radhët e veta edhe Ronaldo: “Një lojtar i jashtëzakonshëm për teknikë dhe këmbëngulje. Një makinë lufte. Meqenëse ai është në Torino, besoj se të gjithë, duke e shikuar çdo ditë në stërvitje, kanë marrë diçka prej tij për t’u përmirësuar”. De Ligt, nga ana tjetër, ka nevojë për kohë përshtatjeje në Itali: “Ai është i ri, i talentuar. Vuajti në fillim, pasi u katapultua menjëherë në vijën e frontit, për shkak të dëmtimit të Chiellini. Ai i ka të gjitha kartat për t’u bërë një nga mbrojtësit më të mëdhenj në bota, vitet e ardhshme”.

Kundër Lionit, bardhezinjtë do të përfitojnë edhe nga efekti i Serie A: “Konkurrenca me Lazio dhe Inter për titullin në Itali është gjithashtu një avantazh për Ligën e Kampionëve, sepse ato na detyrojnë të mos heqim dorë kurrë. Pastaj, në Ligën e Kampionëve, megjithatë, duhen dy gjëra: mbërritja në ndeshjet e marsit në kushtet më të mira dhe pak fat”.

Puna e Sarrit

Në fund, Bonucci promovon metodën e punës së Sarrit: “Ai më befasoi për inteligjencën njerëzore dhe mbi futbollin. Kur bisedon me të, e kupton pse erdhi te Juventusi, pasi ka bërë një udhëtim të gjatë. Sarri është dikush që di t’i përmirësojë ekipet e tij. Me të kemi pranuar një mënyrë tjetër të të parit dhe luajturit futboll. Loja jonë ka ndryshuar shumë. Për shembull, në mbrojtje luajmë vetëm në zonë. Po përshtatemi. Nuk është e lehtë, por gjërat e vështira nuk më kanë frikësuar kurrë”.