Ole Gunnar Solskjaer nuk do të jetë thjesht trajneri i përkohshëm i Manchester United.
Sikurse raporton “The Sun”, bordi drejtues ka vendosur që norvegjezi të emërohet me kohë të plotë, por ky vendim nuk do të bëhet zyrtar para përfundimit të sezonit.
Drejtuesi i lartë i United, Avram Glazer, foli gjatë me teknikun pas fitores 3-0 me Fulhamin, duke qenë i bindur se Solskajer e meriton të vazhdojë në krye të “Djajve të Kuq”.
Familja Glazer ka patur si objektiv trajnerin aktual të Tottenhamit, Maurizio Pochetino, të cilit do t’i ofrohej një kontratë e majme për ta shkëputur nga Spurs-at.
Por drejtuesit e klubit tashmë janë bindur plotësisht për aftësitë e Solskjaer, për punën e të cilit flasin vetë shifrat.
Që kur mori drejtimin e skuadrës në muajin dhjetor, pas shkarkimit të Jose Mourinhos, United ka mundur të fitojë 10 nga 11 ndeshjet e zhvilluara. Barazimi i vetëm ishte ndaj Bunrley-t, 2-2 në “Old Trafford”.
Forma e jashtëzakonshme, e përkthyer në rezultate impresionuese, e ka katapultuar Manchester United në vendin e katërt, në zonën Champions, duke lënë pas Chelsea-n dhe Arsenalin.