Kryeministri britanik Boris Johnson dhe Federata Angleze e Futbollit dënuan si të papranueshëm fyerjet raciste ndaj disa prej futbollistëve të përfaqësueses pas humbjes me Italinë në finalen e Euro 2020.
Futbollistët Jadon Sancho, Marcus Rashford dhe Bukayo Saka gabuan në gjuajtjet e penalltive dhe për këtë Anglia humbi 3-2. Pas këtij rezultati në rrjetet sociale të tyre nisi një valë komentesh fyese.
Policia deklaroi se kishte nisur hetimet për racizëm dhe se ky rast “nuk do të tolerohet”, ndërkohë kryeministri Johnson e konsideroi “të tmerrshme” këtë sjellje.
“Futbollistët e përfaqësueses angleze meritojnë të duartrokiten fort si heronj, jo të fyen rëndë nga ana racore në rrjetet sociale,” – u shpreh kryeministri, – “Përgjegjësve për këtë sjellje të tmerrshme duhet t’u vijë turp!”
Qëndrim të ngjashëm mbajti edhe Federata Angleze e Futbollit, e cila prej së paku një viti ka paralajmëruar për një sjellje agresive dhe raciste ndaj futbollistëve me ngjyrë në rrjetet sociale.
Sancho dhe Rashford janë ndër futbollistët që kanë mbështetur publikisht lëvizjen “Black Lives Matter” në Shtetet e Bashkuara pas vrasjes së George Floyd nga policia.
Në muajin maj Rashford denoncoi komentet raciste ndaj tij pas humbjes së Manchester United në finalen e Europa League, ndërkohë që ngjashëm në situatë të tillë ka qenë më parë edhe Raheem Sterling.
Kompanitë e rrjeteve sociale janë kritikuar vazhdimisht për mungesë në adresimin e këtij problemi, ndërsa një numër i madh klubesh dhe futbollistësh bojkotuan për katër ditë mediat sociale gjatë muajit prill në shenjë proteste.