Kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson thotë se Presidenti i Rusisë Vladimir Putin është i gatshëm që të përdorë taktika barbare kundër popullsisë civile dhe të pafajshmëve në Ukrainë.
Gjatë takimit me Kryeministrin polak në Poloni, Johnson u shpreh se “Putin është përgatitur të bombardojë pallate, të godasë me raketa këto pallate e të vrasë fëmijë”.
“Tragjedia që ne parashikuam ka ndodhur. Po shohim një fatkeqësi në kontinentin tonë Europian”, u shpreh Johnson.
Pavarësisht sulmeve ruse, Kryeministri britanik u shpreh i bindur se Putin do të dështojë.
“Jam i bindur se një ditë, edhe pse ky konflikt i tmerrshëm vazhdon, Putin do të dështojë, jam më i bindur se kurrë”, theksoi Johnson, i cili i ofroi mbështetje edhe Polonisë për flukset e emigrantëve ukrainas që largohen nga vendi i tyre për shkak të luftës.
Kryeministri britanik vlerësoi edhe ukrainasit në luftën e tyre për të mbrojtur vendin.
“Putin ka nënvlerësuar dëshirën e zjarrtë të popullit ukrainas për të mbrojtur vendin e tyre. Më lejoni që t’i bëj homazhe edhe guximit që po tregon Volodymyr Zelensky. Mendoj se ai ka frymëzuar dhe mobilizuar jo vetëm njerëzit e tij, por edhe mbarë botën për atë që ka ndodhur”.
Johnson shtoi se mbështetja e Britanisë ndaj Ukrainës do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.