Bota Borrel e pranon: Ka pasur një ide për shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi

Borrel e pranon: Ka pasur një ide për shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Josep Borrell, ka treguar gjatë një interviste për mediat serbe se mes Kosovës dhe Serbisë ka pasur një tentativë për të shkëmbyer territore.

Në një intervistë për mediat serbe “Nezavisne” dhe “Politika.ba”, Borrell u shpreh se shkëmbimi i territoreve ka qenë një ide e propozuar disa muaj më parë, por tani nuk është më një mundësi.

“Disa muaj më parë kishte një propozim për të shkëmbyer territore. Por kjo nuk është më një mundësi”, tha Borrell, duke shtuar se ka vende të BE-së që kundërshtojnë një marrëveshje të tillë.

Nga ana tjetër ai foli për dialogun mes dy vendeve, duke shtuar se tani gjërat po shkojnë mirë dhe mund të arrihet një marrëveshje e pranueshme për të dyja vendet.

Borrel shton se e ardhmja e Ballkanit qëndron në BE, pavarësisht nga përpjekjet e Kinës dhe Rusisë, si dhe të Shteteve të Bashkuara, për ta ushtruar ndikimin e tyre dhe për të qenë aktorë të rëndësishëm.

Shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë një teme që ka dominuar debatin politik më shumë muaj me radhë, ku palët kanë akuzuar njëra-tjetrën dhe kanë folur dhe për marrëveshje sekrete.

Por pakti i firmosur në Shtëpinë e Bardhë në fillim të shtatorit, sipas analistëve ndaloi dhe idenë për një korrigjim të hartës në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.