Fqinjët e BE-së janë në flakë, thotë Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i BE-së për punë të jashtme dhe sigurinë, teksa bën thirrje për një përgjigje të fortë e të bashkuar nga vendet anëtare.
“Në 10 muajt e fundit, fqinjët tanë janë përfshirë nga flakët, që nga Libia e deri në Bjellorusi”, tha Borrell. “Çdo gjë ka shkuar më keq se ç’mendoja”, tha ai.
Brukseli nuk e ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve të Bjellorusisë, të cilat i dhanë Lukashenkos më shumë se 80% të votave.
Po ashtu, Brukseli ka dënuar dhunën ndaj protestuesve paqësorë dhe ka paralajmëruar se do të vendosen sanksione.
Ndërsa më 24 shtator, BE do të diskutojë për Turqinë, e cila ka krijuar përplasje me Turqinë, një anëtare të BE-së, në lidhje me territorin detar në Mesdhheun Lindor.
Tensionet u përshkallëzuan kur Turqia dërgoi anije për të eksploruar mundësinë e nxjerrjes së naftës te territori i debatuar.
Greqia ka vendosur forca ajrore dhe detare në zonë, ndërsa Franca ka bërë patrullime ushtarake.
Makron i ka ofruar mesazhe solidariteti Greqisë dhe Qipros përpara provokimeve të Turqisë, dhe tha se BE synon të rikthejë marrëdhëniet normale me Turqinë.
Turqia, nga ana e saj, tha se deklarata franceze nuk bazohej në ligje dhe nuk ishte realiste. Po ashtu nënvizoi se Greqia duhet t’i lërë pretendimet maksimaliste për territore, të cilat dalin kundër ligjeve ndërkombëtare.
Ballkani është një tjetër rajon shqetësues për Borrell. Sipas tij, mosmarrëveshjet midis Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të krijojnë destabilizim.
“Nëse nuk stabilizojmë dot as Ballkanin, do të jetë e vështirë të shihemi si fuqi gjeopolitike. Sepse kush mund ta bëjë tjetër, po s’e bënë europianët?”, tha Borrell.