Presidenti Ilir Meta shprehet i shqetësuar për borxhin publik. Teksa një ditë më parë hodhi akuza në drejtim të qeverisë për fshehje të borxhit, sot në një postim në rrjetet sociale, kreu i shtetit shkruan se Shqipëria ka rënë me tre pozicione për treguesin e prosperitetit.
“Futesh në borxh për t’u përmirësuar dhe jo për t’u përkeqësuar! Në të kundërt ndodh me vendin tonë.
Sipas Indeksit të Prosperitetit, të përgatitur nga Legatum Institute, institucion i pavarur prestigjioz i përpunimit të statistikave që vijnë nga burime të besueshme, rezulton se vetëm brenda dy viteve të fundit Shqipëria ka përkeqësuar me tre shkallë treguesin e prosperitetit, duke rënë në vendin e 69-të për vitin 2021, nga vendi i 66-të, që ndodhej në 2019. Në terma konkretë, qëndrueshmëria fiskale, dinamizmi ekonomik, fuqia punëtore janë ndër më të ulëtat në Europë”.
Sipas Presidentit Meta, gjendja ekonomike e vendit është e rëndë dhe duhet të ketë sa më parë reagim e të merren masa efektive.
“Në pikiatë rezultojnë cilësia e qeverisjes, e ekonomisë, zbatimi i ligjeve, respektimi i të drejtave të pronësisë, zbatimi i kontratave dhe detyrimeve. Cilësia e jetës së qytetarëve shqiptarë ka rënë në tërësi dhe pothuajse jemi ndër të fundit në botë për besimin ndaj institucioneve. Gjendja është e rëndë dhe përkeqësimi nuk ndalet! Reflektimi i menjëhershëm, efektiv dhe i përgjegjshëm është domosdoshmëri”, shkruan në Facebook Presidenti Meta.