Aktualitet Bos i kokainës në vendet nordike, dënohet me 9 vite burg Jetmir...

Bos i kokainës në vendet nordike, dënohet me 9 vite burg Jetmir Kastrati

Godina e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë dënoi me 9 vite burg Jetmir Kastratin, të njohur edhe si Sokol Krasnici, pasi e shpalli fajtor për trafikimin e lëndëve narkotike në vendet skandinave.

Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar dënimin me 13 vjet e 6 muaj burgim për Kastratin, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht u kërkua dënimi i tij me 9 vjet burgim, dënim të cilin i pandehuri duhej ta vuante në burg të sigurisë së lartë.

Të hënën, Gjykata shpalli fajtor Kastratin dhe e dënoi me 9 vjet burgim, dënim të cilin duhet ta vuajë në burg të sigurisë së lartë.

Kush është Jetmir Kastrati?

Që nga viti 2012 deri në Qershor 2019 i pandehuri Jetmir Kastrati (alias Sokol Krasnici), në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ka trafikuar sasi shumë të mëdha kokaine në Danimarkë, Suedi dhe Norvegji, nga shitja e të cilës ka siguruar të ardhura me origjinë kriminale.

Këto të ardhura pas vitit 2012 janë shndërruar në pasuri të ndryshme të luajtshme dhe paluajtshme në Shqipëri, duke bërë në këtë mënyrë pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale, nëpërmjet investimeve në pasuri të paluajtshme në zonën e Velipojës dhe qytetin e Shkodrës, si dhe aktivitete ekonomike në qytetin e Shkodrës, siç ishte një biznes pulari me emrin tregtar “RENS 2015”, pasuri apo aktivitete ekonomike këto të regjistruara në emër të të afërmeve të të pandehurit, si dhe të konfiskuara më parë në kuadër të zbatimit të Ligji nr. 10192 datë 03.12.2009 “Për  Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të  Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, të ndryshuar.

Zbulimi i aktivitetit kriminal, hetimi dhe gjykimi i këtij të pandehuri, në lidhje me pastrimin e produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale është bërë falë bashkëpunimit të ngushtë të Prokurorisë së Posaçme me autoritetet e drejtësisë së Danimarkës dhe Norvegjisë.