Aktualitet Bosi i drogës Dritan Rexhepi ekstradohet nga Turqia në Shqipëri (VIDEO)

Bosi i drogës Dritan Rexhepi ekstradohet nga Turqia në Shqipëri (VIDEO)

I shumëkërkuari Dritan Rexhepi është ekstraduar këtë të mërkurë nga Turqia në Shqipëria nën masa të jashtëzakonshme sigurie.

Në pamjet e bëra publike nga policia duket që ai është pritur në aeroportin turk nga policë shqiptarë të armatosur e të maskuar, ndërsa me dhjetëra efektivë të forcave speciale e kanë pritur atë në Rinas.

Ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” për zhdukjen e Jani Prengës, i dënuar me 4 vite burg për falsifikim nga gjykata e Fierit. Në vitin 2013, është dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda, me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”. Në vitin 2010, është dënuar nga Gjykata e Apelit e Firences, Itali, me 16 vjet burgim, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Ai është dërguar menjëherë në burgun 313 në Tiranë.

“Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Turqi, ekstradohet në Shqipëri, shtetasi i shumëkërkuar Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi.

45-vjeçari, shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, sepse:

-Në vitin 2020, GjKKO-ja i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, ”Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Shtetasi Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi akuzohet se në bashkëpunim me shtetasin G. D., ka urdhëruar rrëmbimin e shtetasit J. P., pasi dyshonte se në vitin 2019, vëllai i shtetasit J. P., kishte vjedhur në Angli, një kontenier me lëndë narkotike në pronësi të 45-vjeçarit dhe bashkëpunëtorit të tij;

-Në vitin 2015, Gjykata e Fierit e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”;

-Në vitin 2013, është dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda, me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Më datë 06.10.1999, në një lokal në Krujë, 45-vjeçari, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka vrarë me armë zjarri, shtetasin D. K., si dhe ka plagosur pronarin e lokalit, shtetasin R. B., i cili ka humbur jetën më pas, në spital;

-Në vitin 2010, është dënuar nga Gjykata e Apelit e Firences, Itali, me 16 vjet burgim, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, për trafikim të lëndëve narkotike. Shtetasi Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi është arratisur nga vendi i vuajtjes së këtij dënimi, në Firence. Nga ky dënim i kanë mbetur për të vuajtur 13 vjet, 8 muaj dhe 6 ditë burgim”, njofton policia.