Studimi britanik: Ata që kanë kaluar Covid, janë të paktën 5 muaj të mbrojtur. Por ka rrezik që të infektohen dhe t’ia transmetojnë virusin të tjerëve
CEO i kompanisë Moderna, Stephane Bancel, që ka prodhuar një prej vaksinave kundër koronavirusit, thotë se bota do të duhet të bashkëjetojë përgjithmonë me të.
Zyrtarë të ndryshëm të shëndetit publik dhe ekspertë të sëmundjeve infektive kanë thënë se ka shumë gjasa që Covid-19 të bëhet një sëmundje endemike, që do të thotë se do të jetë e pranishme gjithmonë, por me shumë gjasa në nivele shumë më të ulëta sesa tani.
Këtë ide e mbështeti edhe CEO i Moderna-s, Stephane Bancel, gjatë një diskutimi në Konferencën e Shëndetësisë “JPMorgan”. “Do të na duhet të jetojmë me këtë virus, mendoj, përgjithmonë”, citohet të ketë thënë ai nga CNBC.
Vaksina e Moderna-s është miratuar për përdorim në SHBA, te personat mbi 18 vjeç, dhe në vendet e Bashkimit Europian.
“Ata që kanë kaluar Covid, 5 muaj të mbrojtur”
Shumica e personave që kalojnë Covid-19 janë të mbrojtur nga një riinfektim i mundshëm për të paktën 5 muaj. Këtë e thotë një studim i drejtuar nga Shëndetësia Publike në Angli.
Sipas shkencëtarëve, ata që e kanë kaluar sëmundjen përballen me një rrezik 83% më të ulët për t’u prekur sërish, krahasuar me personat e painfektuar më parë. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se disa njerëz mund të infektohen sërish dhe t’ia transmetojnë virusin të tjerëve.
Studiuesja Susan Hopkins, e cila drejtoi studimin, tha se rezultatet ishin inkurajuese dhe sugjeronin se imuniteti zgjat më shumë nga sa mendohej, e megjithatë mbrojtja nuk është absolute.
Veçanërisht shqetësues është fakti se disa prej personave të riinfektuar kishin nivele të larta të ngarkesës virale, madje edhe pa simptoma, dhe ekziston rreziku që t’ia ngjisin të tjerëve.
”Kjo nënkupton se, nëse besoni se e keni kaluar sëmundjen dhe jeni të mbrojtur, mund të rrini të qetë se ka pak gjasa të zhvilloni simptoma të rënda në të ardhmen, por ka rrezik që të infektoheni dhe t’ia transmetoni virusin të tjerëve”, tha shkencëtarja britanike, Susan Hopkins.
Nga qershori deri në nëntor të 2020-s, 21 mijë punonjës të shëndetësisë rreth Britanisë së Madhe janë testuar rregullisht për të parë nëse janë të prekur nga Covid, apo nëse kanë qenë të infektuar më herët. Mes atyre pa antitrupa, 318 u infektuan brenda kësaj periudhe, ndërsa mes 6614 personave me antitrupa, vetëm 44 u riinfektuan. Shkencëtarët do të vijojnë të monitorojnë punonjësit e shëndetësisë për 12 muaj për të parë sa zgjat imuniteti.