Kristina Gadže – Bosnje dhe Hercegovinë
Alem Bajramović – Bosnje dhe Hercegovinë
Filip Mirilović – Serbi
Personat me aftësi të kufizuara janë një nga grupet e margjinalizuara në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi që përballen me diskriminim dhe stigmatizim në baza ditore. Përkufizimi i një personi me aftësi të kufizuara ende nuk është konstant në BeH, ndonëse BeH-ja ka miratuar Konventën e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, por në Serbi, sipas ligjit, termi “persona me aftësi të kufizuara” do të thotë “persona me aftësi të kufizuara të lindura ose të fituara, fizike, shqisore, intelektuale ose emocionale… “. Për shkak të pozitës së tyre të pafavorshme në shoqëri, shumë organizata mundohen ta përmirësojnë socializimin dhe motivimin e tyre për zhvillim profesional duke u dhënë atyre mundësi për punësim.
Korniza ligjore për personat me aftësi të kufizuara në BeH dhe Serbi
Në Bosnje dhe Hercegovinë, ka ligje në nivele të ndryshme që rregullojnë marrëdhënien e punës së personave me aftësi të kufizuara, e që janë 270,000 persona, sipas Agjencisë së Statistikave të BeH. Ato përcaktojnë marrëdhënien e punësimit dhe të dhënat e punonjësve me aftësi të kufizuara që realizohen “në pajtim me rregulloret lokale, rregulloret e tjera, marrëveshjen kolektive dhe rregulloret e punës”. Ligjet po ashtu përcaktojnë themelimin e fondeve për rehabilitimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, që zbatojnë politika të zhvillimit dhe përmirësimit të rehabilitimit profesional dhe punësimit të personave me aftësi të kufizuara.
Në anën tjetër, në Serbi, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, janë 571,780 persona me aftësi të kufizuara, ka një Ligj për rehabilitimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, që e përkufizon rehabilitimin profesional si “organizmin dhe zbatimin e programeve të masave dhe aktiviteteve për trajnim për punësim të duhur, rekrutim, mbajtje të vendit të punës, avancim ose ndryshim të karrierës profesionale”. Sipas po të njëjtit ligj, personat e punësuar me aftësi të kufizuara kanë të drejtë gjatë rehabilitimit për kompensimin me pagë në shumën 100% të pagës mesatare të fituar në tre muajt e mëparshëm para se t’i bashkohen këtij programi, ndërsa kompensimi i pagës nuk mund të jetë më pak se paga minimale në Serbi.
“Personat me aftësi të kufizuara në Republikën e Serbisë paraqesin një nga grupet më të cenueshme në të gjitha fushat e jetës sociale, që konfirmohet nga praktika e Komisioneres, pra numri i ankesave të pranuara nga institucioni për shkak të diskriminimit bazuar në aftësi të kufizuara” theksoi Komisionerja për barazi Brankica Janković.
Përveç kësaj, si me ligjin në BeH, ligji në Serbi përkufizon punësimin e personave me aftësi të kufizuara sipas kushteve të përgjithshme dhe speciale. Të përgjithshme do të thotë “punësimin pa përshtatjen e detyrave, vendit të punës ose detyrave dhe vendit të punës”, ndërsa sipas kushteve speciale konsiderohet “punësimi me përshtatjen e detyrave, vendit të punës ose detyrave dhe vendit të punës”.
Sipas kërkimit Istinomjer, gratë me aftësi të kufizuara e kanë më të vështirë të gjejnë punë në krahasim me burrat që preferohen nga punonjësit e tyre nëse janë në kategorinë e invalidëve të luftës. Gjithashtu, kërkimi thotë se nga numri total i personave me aftësi të kufizuara të punësuar në vitin 2015 në FBeH, gratë përbëjnë 26.6%, dhe në Republikën Srpska vetëm 6.2% për periudhën nga 2013 deri në 2016.
Ana Kotur Erkić, avokate, gazetare dhe aktiviste në BeH, që po ashtu është person me aftësi të kufizuara, filloi të punojë shtatë vite më parë si aktiviste për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, ndonëse, siç thotë ajo, është përpjekja e saj gjatë gjithë jetës. Aktivizmi më vonë u zhvillua në atë që ajo e quajti “avokim për të drejtat e njeriut”. Unë isha aktive edhe si fëmijë – i kundërshtoja disa padrejtësi, isha e zëshme me pyetjet “Pse?” dhe “Si?”. Por për herë të parë iu qasa kësaj çështje në mënyrë serioze dhe sistematike si gazetare që merret me jetën e personave me aftësi të kufizuara. Më pas isha redaktore e një portali për çështje që lidhen me persona me aftësi të kufizuara dhe më pas kontribuese në shumë media dhe organizata. Të jesh mbrojtëse e të drejtave të njeriut, si një person që kalon vetë nëpër diskriminim – gati nga momenti kur lë shtëpinë, ndonëse do të ishte e mundur të diskutonim për shtëpinë, jo pse unë dua, por për shkak të praktikave në ndërtimtari, dekorimit të shtëpisë dhe ngjashëm, nuk është e lehtë. Kjo do të thotë se je vazhdimisht e ekspozuar ndaj kritikave sepse nuk je në favor të rrethit tënd, e që janë normat e shoqërisë në të cilën jeton, por edhe të mbajtjes në shpinë të barrës së komunitetit”, thotë Kotur Erkić.
Ajo thekson se diskriminimi më së shumti vërehet në vendin e punës, meqë procesi i prezantimit me punën dhe punësimi i përhershëm nuk është ende i disponueshëm për refuzimin e punës së parë. “Meqë kam përvojë me më shumë se 80 refuzime, kalimi nëpër këtë proces është i gjatë dhe i vështirë, dhe mund të them se për të mbijetuar dhe rezistuar sigurisht është edhe më e vështirë. Ka momente kur është aq e vështirë sa nuk mund të përshkruhet, kur jam e dëshpëruar dhe kur ndihem shumë keq, sepse është shumë joreale që pas aq shumë procedurave, nuk jam një kandidate e mirë. Por në anën tjetër, degradimi dhe nënçmimi konstant është një motiv i shkëlqyer që asnjëherë të mos pajtohem me të dhe të vazhdoj të luftoj,” përshkruan përvojën e saj Kotur Erkić.
Siç thotë ajo, përpjekjet e saj janë puna që ajo bën, dhe përfshin suksese të përbashkëta me njerëz të jashtëzakonshëm, qofshin ata në një kuadër joqeveritar apo institucional, komunitet akademik apo një përvojë e përbashkët e jetës në margjina. “Kur më kujtohet se ku e kam filluar, betejat që kam fituar, thjesht nuk ka shanse për t’u dorëzuar, sepse mjedisi im, përveç atij më të afërt, shoqëria dhe vendi në të cilin unë jetoj, nuk janë të favorshme për popullatën të cilës i takoj,” vazhdon Kotur Erkić.
Në punën e saj, ajo iu kthye pjesës që njerëzit shpesh e harrojnë, dhe kjo është avokimi për ata që nuk mund të flasin. “Kemi parë se shoqëria dhe shteti bëjnë shumë pak për njerëzit që jetojnë aty, por a kemi bërë gjithçka që të mos jemi në këtë pozitë ku jemi? E di se po vazhdoj të bëj gjithçka dhe që jam, në shumë segmente, shumë më përpara se që pritet nga unë. Procesi i punësimit, si dhe procesi i vetë punës, por mbi të gjitha të gjitha proceset e tjera – arsimi, vendbanimi, qasja në drejtësi, nuk janë të përshtatura për personat me aftësi të kufizuara” theksoi ajo.
Ajo thekson se kjo situatë ndiqet nga cilësia e pamjaftueshme e ligjeve dhe akteve nënligjore, ndjekur nga zbatimi jo i duhur dhe mungesa e sanksioneve reale për ata që nuk dëshirojnë të punësojnë një person me aftësi të kufizuara, dhe më pastaj papërshtatshmëria e vendeve të lira të punës, metodave të punës, mjedisit të punës, valorizimit të rezultateve dhe më shumë.
E gjithë kjo, thekson Kotur Erkić, tregon se të drejtat për punë të personave me aftësi të kufizuara nuk janë vënë në një kornizë të duhur, pra nuk janë zbatuar në mënyrë adekuate.
Punësimi në sektorin e OJQ-ve
Goran Rojević është drejtori dhe themeluesi i organizatës “Children’s Heart” (Zemra e fëmijëve) nga Serbia, që ndihmon personat me aftësi të kufizuara, prindërit e tyre dhe personat që kujdesen për ta për 20 vite tashmë. Sipas Rojević, organizata tani drejton kafenenë “Sounds of the Heart” (Tingujt e zemrës), e cila sipas tyre është e vetmja në rajon ku të gjithë të punësuarit janë persona me aftësi të kufizuara mendore. “Pjesa më e mirë e punës sonë ishte dëshira jonë që ata të jenë sa më të pavarur që të jetë e mundur dhe t’u mundësojmë të jetojnë të pavarur, të jenë profesionalisht anëtarë të dobishëm të shoqërisë. Kafeneja, bashkë me qendrën e punës, synon të mos dallojë shumë nga jeta në Beograd, ku restorantet dhe kafenetë funksionojnë më së miri. Kemi përcaktuar profesionet që mund të kryhen nga përdoruesit tanë”, thotë Rojević.
Ai thekson se punonjësit jetojnë me ta dhe kalojnë nëpër programet “Shkolla e jetës” dhe “Shkolla e shkathtësive jetësore” si dhe trajnimin shtesë për banakier dhe kamerier. “Ne i përballim ata me situata jetësore konkrete nga të cilat ata mësojnë konkretisht, ku i trajnojmë si kamerier, banakier dhe më pas i vëmë në situata sfiduese. Kur ai thotë “por nuk e di këtë,” ti pastaj ia mëson. Mentori social u ndihmon në tërë këtë”, përshkruan Rojević.
Ai thekson se ata janë të jashtëzakonshëm në të gjitha fushat e punës, por edhe atmosfera e mirë është e rëndësishme për produktivitetin e tyre. Rojević shton se kur ata e kryejnë një punë, i ndihmojnë kolegët e tyre në aktivitetet e tjera dhe se puna në një kafene ka efekt pozitiv për ta. “Së bashku kemi siguruar zhvillimin e shërbimeve të ndryshme sociale, si dhe vetëdijesimin e personave që ata të mos mendojnë më aq shumë për vuajtjet e tyre në të kaluarën, por që ata mund të ndihmojnë persona të tjerë. Ka pasur hapje më të madhe të shoqërisë në krahasim me 20 vite më parë, kur ajo ishte më e fokusuar në veten dhe problemet e saj. Përfshirja ka bërë që ata të jenë të pranishëm në shumë shkolla, kopshte, institucione arsimore ku ata nuk ishin të pranishëm 20 vite më parë”, shton Rojević, që thekson se për vizibilitetin duhet të punohet vazhdimisht.
Rojević thotë se personat me çrregullime mendore plaken më shpejt, kështu që pas moshës 40, 50 vjeç ka rënie në potencialin e tyre, prandaj është më e lehtë që ata të punësohen në një moshë më të hershme, që të punojnë më gjatë dhe të jenë pjesëtarë aktivë të komunitetit. “Kur ata janë 18 vjeç, ata kërkojnë aktivitete ku shpenzohet shumë energji fizike. Çfarë kemi bërë në vazhdim të kësaj është “Qendra për trajnimin dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara” dhe në kuadër të kësaj, pasi të jenë në gjendje të punojnë, i rekomandojmë ata te disa kompani në komunitetin lokal dhe ato kompani i punësojnë. Ata gjithmonë gjejnë një lloj mentorimi te ne, ku në rast të ndonjë problemi, ne veprojmë si ndërmjetës në zgjidhjen e tyre.”
Përveç kafeneve, organizata po ashtu ka një shërbim të “Shoqëruesit personal të fëmijës”, që operon në nivel lokal përmes të cilit ata aplikojnë për tenderët e shpallur nga qeveria lokale. Në këtë mënyrë ata trajnojnë ndihmësit personalë dhe krijojnë bashkëpunim me shkollat dhe institucionet e vijuara nga fëmijët me aftësi të kufizuara. Ai gjithashtu thotë se punonjësit ia dalin të bëhen të pavarur. “Kemi një djalë që punon në një shtypshkronjë. Por jemi ne ata që kërkojmë punë për ta, sepse tek ne ata e shohin sigurinë se do të vazhdojmë të kujdesemi për ta si organizatë”.
Marko, një nga punonjësit, rregullisht bën espreso dhe pret reagimin e mysafirëve pasi e shijojnë kafenë e përgatitur nga ai. Ndryshe nga Marko, Nemanja dekoron zgjoin me vizatimet e tij për fermën e ardhshme bujqësore në Vinča, ku do të punojnë persona me aftësi të kufizuara. “Po vizatoj stemën e Obrenović në kutitë këtu. Përpiqem që të duken perfekte. Unë e marr detyrën nga instruktorët e punës”, thotë Nemanja (27), një nga punonjësit, mentori i të cilit thotë se ai ka një memorie fotografike.
“Mundohem të jem i sjellshëm dhe të bëj bashkëpunime edhe me personat e famshëm që ata të vijnë këtu. Dëshiroja që edhe aktorët nga seritë “Loja e fatit” të vinin këtu. Siç thotë ai, ai do të dëshironte të njihte personalisht edhe aktorë të huaj dhe nuk do të turpërohej t’i takonte. “Nganjëherë marr për detyrë të jem në kafeteri e herë tjetër në punëtori për të ndihmuar. Bëj kafe, kokteje e limonada. Nganjëherë gatuaj drekën në kuzhinë. Di se si të gatuaj makarona, pasta, di si të gatuaj supë. Si të pjek salsiçe dhe do të jetë e lehtë për mua të përgatit edhe pure patatesh”, kështu e përshkruan Nemanja ditën e tij të punës.
Ai thotë se mund të gatuaj bizele dhe bishtaja dhe të bëj kafe, por edhe të vizatojë. Nuk është e vështirë për të shkathëtin Nemanja të vizatojë stemën e “Children’s Heart”, ai thotë se mund ta bëjë. Por ajo që i pëlqen më pak është që dikush të bëjë shaka me të, nuk e pëlqen këtë, siç nuk e pëlqen ushqimin pa kripë. “Më pëlqen gjithçka. Nuk është e vështirë të kem nevojë për lavender. Ne shesim çanta. Gjithashtu shesim bluza me mëngë të shkurta, çanta dhe gota,” përshkruan ai.
Kur e pyetëm se sa kohë ka që është këtu, Nemanja u përgjigj menjëherë “nga 24 dhjetori 2018”. Kishte provuar të gjente punë diku tjetër, por ishte e vështirë për të, por thotë se do të dëshironte të bënte ndonjë punë që ka lidhje me vizatimin: “Do ta dëshiroja këtë, po mendoja të bëja diçka në ndonjë shtypshkronjë, shtypjen e bluzave dhe gotave. Një ditë, jo tani. Kam ende shumë për të mësuar nga instruktorët e punës. Nuk mund të mësoj asgjë pa ta”. Kur e pyetëm se ku do të dëshironte të udhëtonte, ai listoi dhjetëra qytete në SHBA dhe Kanada brenda disa sekondave.
Një tjetër punonjëse, Anđela (22), është marrë me kultivimin e trumzës, ka qenë aty për tri vite dhe ndihet shkëlqyeshëm. “I dëgjoj instruktorët e punës se çfarë më thonë, nuk është problem për mua,” thotë ajo. Përveç kultivimit të trumzës, asaj i pëlqen të punojë edhe si kameriere dhe në kuzhinë. Ajo nuk do të donte të ndryshonte asgjë: “Do të qëndroja këtu, nuk do të ndryshoja asgjë. Përveçse nëse mërzitem ndonjë ditë. Ndoshta do të bëja diçka me kompjuter, të shkruaja dhe vizatoja, diçka të tillë. Edhe në shtëpi më pëlqen të vizatoj, marr letër dhe vizatoj”, deklaron Anđela.
Prindërit si mbështetja më e madhe për personat me aftësi të kufizuara
Në anën tjetër, në një qytet të vogël në BeH, Goražde, operon “Shoqata e personave me paralizë cerebrale dhe distrofi”, e cila për shumë paraqet një anë pozitive të shoqërisë në të cilën jetojnë. Një nga anëtarët e tyre, Alen Hedo, ndan storien e jetës së tij. “Që nga muaji i shtatë i jetës sime, kam qenë një person me paralizë cerebrale. Familja u përpoq të më përfshijë në shoqëri. Kur erdh koha për t’u regjistruar në shkollë, problemi më i madh ishin, në njëfarë mase, pengesat arkitekturale. Para saj, kishte persona që mendonin se ishte më mirë për mua të rri në shtëpi në vend se të shkoj në shkollë sepse mendonin se ishte shumë e vështirë për mua,” tha Allen, që tha se problemet më të mëdha që e shoqëruan atë në shkollë ishin katet e sipërme dhe shkallët.
Por Allen i tejkaloi të gjitha këto me ndihmën e familjes pa të cilën, siç e përshkruan ai, nuk do të ishte ky që është sot. I rritur me dy motra, ai ka marrë mbështetje të plotë nga to dhe prindërit e tyre, por edhe siç thotë ai pak më shumë vëmendje. “Pas regjistrimit në shkollën fillore, nëna ishte shumë e vendosur se donte të më çonte në shkollë. Nuk kishim veturë në atë kohë. Më bartte çdo ditë për pesë kilometra në të dy drejtimet, përfshirë edhe çantën dhe pajisjet që më duheshin. Pas disa vitesh, kjo u zgjidh. Një fugon u aranzhua për transportin e mësimdhënësve dhe më merrnin gjatë rrugës. Pas kësaj, hyra në shkollë të mesme, babai më dërgonte me veturë,” vazhdon Allen, që shpjegon se babi i tij nuk mund të gjente punë sepse i duhej ta dërgonte në shkollë çdo ditë, dhe në universitet, aktivitete sportive dhe praktikë.
Ai gjeti aktivitete të tjera në Shoqatë dhe thekson se atje nuk ndihet ndryshe. “Mjedisi dhe shoqëria, njerëzit e zakonshëm dhe miqtë e mi nuk kanë treguar kurrë se unë duhet të marr më pak. Ishte një tregues për mua se unë duhet të luftoj si çdo person tjetër, për të arritur në çdo aspekt të jetës. E njëjta vlen edhe për arsimimin. Një nga motivet është familja ime. Arsyeja e dytë është që t’ju tregoj të tjerëve se është e mundur, nëse vendos se vendi yt është në mesin e atyre me diplomën Master”, thotë Allen, që planifikon të regjistrojë studimet e doktoratës pas studimeve Master.
Pas diplomimit, atij menjëherë iu dha mundësia për të vepruar si vullnetar në MPB-në lokale. Atje, thotë ai, kishte të gjitha kushtet që i duheshin një personi me aftësi të kufizuara. “Nuk kishte shkallë, vendi i punës ishte i përshtatur dhe me të vërtetë e shijoja çdo ditë që punoja atje. Isha sidomos i kënaqur me njerëzit, qytetarët që kishin rastin të takonin persona me aftësi të kufizuara përmes meje dhe angazhimit tim. Punoja në pjesën e lëshimit të dokumenteve personale dhe takoja persona që kryesisht ishin të aftë fizikisht. Ata kishin mundësi të shikonin se personat me aftësi të kufizuara meritojnë një vend në shoqëri”.
Më pas ai u punësua në një shkollë të mesme, por pandemia e Covid-19 e ndërpreu punësimin e tij dyvjeçar. Që atëherë, filluan mundimet e tij për të rigjetur punë. “Personat me aftësi të kufizuara e kanë shumë të vështirë të gjejnë punë. Duhet fajësuar sistemi në njëfarë forme, dhe në anën tjetër, edhe sektori privat, sepse nuk investon mjaftueshëm në njohuri për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe preferon dhe zgjedh edhe t’i paguajë ndëshkime shtetit por jo të punësojnë persona me aftësi të kufizuara. Kjo e zgjidh problemin deri në një masë, por nuk është diçka që me të vërtetë e ndihmon një person me aftësi të kufizuara,” thotë Allen, që beson se kjo është një nga çështjet me rëndësi për personat me aftësi të kufizuara.
Sipas Alen, çdo investitor që investon në Goražde duhet të merr përfitime, por me kusht që një pjesë e punonjësve të jenë persona me aftësi të kufizuara sepse puna mund të përshtatet. Pasi foli me kryetarin e Goražde, ai u motivua të vazhdojë punën në vendlindjen e tij, të cilën nuk donte ta linte. “Kam pasur mundësi ta lë qytetin, por Goražde është shtëpia ime. Çdo rrugë e saj është shtëpia ime. Të gjithë këta njerëz i ndjej të mitë dhe i shoh si familje. Nëse do të shkoja në Sarajevë ose diku tjetër për të punuar, do të humbisja shumë më shumë se sa që do të fitoja. Kështu ai (kryetari) më dha shpresë se do të punësohesha sepse aplikoi në Fondin për rehabilitimin dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara”.
Sipas Allen, Fondi për rehabilitimin dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara shpalli së fundmi një thirrje publike për grante për entitete ligjore që duan të punësojnë një person me aftësi të kufizuara ose për persona me aftësi të kufizuara që janë të vetëpunësuar. “Në rastin tim, Administrata e qytetit, me kryetarin Ernest Imamović, aplikuan në atë thirrje publike; aplikimi ishte i rregullt dhe në fund lidershipi i Administratës së qytetit mori miratimin e fondeve për punësimin tim për një vit. Tani i mbetet kryetarit dhe administratës së qytetit që të kompletojnë të gjitha procedurat që unë të mund të filloj punën së shpejti. Besoj se nuk do të presim gjatë që kjo procedurë të kryhet sa më shpejt në mënyrë që punësimi im të mund të fillojë dhe unë të mund të jem në shërbim të të gjithë qytetarëve, thotë Allen me gëzim, për të cilin punësimi është gjëja më e rëndësishme në jetë dhe i jep forcë dhe dëshirë për jetë.
Ai shpjegon se nuk ka stigma sociale ndaj personave me aftësi të kufizuara në Goražde. “Nuk ke probleme në rrugë, asnjëherë askush nuk të thërret me emra nënçmues. E vetmja gjë që mund të hasësh është që dikush nuk të afrohet lehtë, gjë që arsyetohet sepse ai/ajo nuk i di nevojat dhe mundësitë e tua. Por nëse bën një kërkesë ose kërkon ndihmë, më besoni se do të merrni më shumë se sa që keni kërkuar”.
Dëshira për të qenë pas timonit ishte diçka që ai e kishte ëndërruar dhe të cilën e realizoi më në fund. Në fillim, thotë ai, nuk kishin veturë andaj ai shpesh ulej pas timonit të veturës së xhaxhait të tij. Tani ai drejton makinën pa problem, ndonëse kishte pengesa në procesin e provimit. “Sa herë që ai (xhaxhai) vinte, orët e para që duhet t’i kaloja me familjen, i kaloja pas timonit. E pëlqej shumë. Në anën tjetër, mendoj se vetura është një lloj ndihme ortopedike për mua dhe kështu e përdor atë,” përfundon ai. Pengesat e ndryshme, paragjykimet, stereotipat dhe mungesa e zbatimit të ligjit janë pengesat kryesore në sistemin e BeH-së dhe të Serbisë. Anja, Alen, Anđela, Marko dhe Nemanja përfaqësojnë një raritet statistikor, por edhe një hap të madh përpara në procesin e punësimit të personave me aftësi të kufizuara dhe një shembull për të gjithë.