Kryesore Bota e futbollit sërish në zi, ndahet nga jeta Paolo Rossi

Bota e futbollit sërish në zi, ndahet nga jeta Paolo Rossi

Bota e futbollit dhe Italia qajnë humbjen e simbolit të kombëtares në Botërorin e vitit 1982. Kush ishte Paolo Rossi, një hero kombëtar në Itali

2020-ta do të mbahet si një vit i zi për futbollin. Pas Diego Armando Maradonës, bota e futbollit ka pësuar një tjetër humbje. Paolo Rossi, heroi i Italisë në Botërorin e vitit 1982 në Spanjë ka ndërruar jetë, si pasojë e një sëmundje të pashërueshme. Një lajm i dhimbshëm për futbollin, që prek shumë edhe fansat e shumtë shqiptarë të Italisë.

Hero kombëtar

Ish-sulmuesi i Juventusit ishte hero kombëtar në Itali për shkak të atij Botërori të paharrueshëm. Ai sapo ishte kthyer nga një dënim, por u grumbullua në kombëtare dhe bëri atë, që askush nuk e mendonte.

Italia nuk ishte aspak pretendente, por në fund shkoi me Kupën në shtëpi dhe protagonisti kryesor ishte padyshim Rossi. Ai i shënoi atë tregolësh të pabesueshëm Brazilit të mbushur plot me yje dhe i shënoi Gjermanisë në finalen e fituar 3-1.

Legjenda Rossi

Edhe sikur të mos luante në Botërorin e vitit 1982, Rossi do të mbetej po aq i madh sa çka mbetur në historinë e futbollit. Lindur në Prato më 1956, fillon si çdo fëmijë të luajë futboll, derisa më 1972-in ndodhet midis të rinjve të Juventusit.

Në fillim drejtuesit e Juves nuk besuan te Rossi, kështu në tetor të vitit 1975 ai kalon te Komo dhe më pas te Viçenca. Këtu shpërthen talenti i tij. 21 gola në 36 ndeshje ndikojnë që kjo skuadër të ngjitet në Serinë A.

Më 1981 Juventusi arrin ta shtjerë në kthetrat e veta. Në Botëror, me 6 golat e tij bëhet golashënuesi më i mirë. Ai ishte pa diskutim ylli i Kupës së Botës së zhvilluar në Spanjë. Arriti të shënonte për të kaltrit në ndeshjet më të rëndësishme, tre gola ndaj Brazilit, dy gola ndaj Polonisë në gjysmëfinale dhe një gol ndaj RF Gjermane në finale. Rossi ishte në kulmin e famës dhe paratë nuk i mungojnë.

Së bashku me Baggio-n dhe Vieri-n, mban rekordin e golave (9) të shënuar nga një italian në Kupën e Botës. Ai ishte lojtari i parë në histori (është barazuar vetëm nga Ronaldo Fenomeni), që fitoi Kupën e Botës, titullin e golashënuesit më të mirë dhe Topin e Artë

Rossi fitoi të gjithë trofetë e mundshëm me Juventusin, duke përfshirë edhe Kupën Evropiane (që sot njihet si Liga e Kampionëve). Provoi edhe një sezon te Milani, por pa shumë sukses. U tërhoq nga futbolli në moshën 31-vjeçare me skuadrën e Veronës.

Pas tërheqjes nga futbolli Rossi u bë komentator shumë i zoti, duke punuar në televizione gjigante si Rai, Sky dhe Mediasset. Ai la tre fëmijë, Sofia Elena, Maria Vittoria dhe Alessandro. Ishte i martuar me gruan e tij Federica, e cila njoftoi e para në rrjetet sociale ndarjen e tij nga jeta. Homazhet për Paolo Rossin pritet të jenë të shumta gjatë ditës së sotme.