Borxhi botëror, që ka arritur nivele të stërmëdha, theu rekordin në vitin 2019, për raportin mes borxhit dhe Prodhimit të Brendshëm Bruto, ende pa u mbyllur viti 2019. Në fakt, rekordi u thye që në 9 muajt e parë të vitit.
Borxhi global, pjesë e të cilit llogariten borxhet e familjeve, qeverive dhe kompanive, u rrit me 9 trilionë dollarë, duke arritur thuajse në 253 trilionë dollarë, në 9 muajt e parë të vitit 2019. Shifrat u publikuan nga Instituti i Financave Ndërkombëtare (INF).
Këto shifra bëjnë që raporti mes borxhit dhe Prodhimit të Brendshëm Bruto, në nivelin 322%, të tejkalojë për pak rekordin e vendosur në vitin 2016. Më shumë se gjysma e kësaj shifre gjigante është mbledhur në vendet e zhvilluara, si Shtetet e Bashkuara dhe Europa.
Shtete si Zelanda e Re, Zvicra dhe Norvegjia, kanë pësuar të gjitha rritje të borxhit të mbledhur nga familjet, ndërsa borxhi publik (ai i marrë nga qeveritë) është në nivelin më të lartë historik në Shtetet e Bashkuara dhe Australi.
Në vendet me ekonomi në zhvillim, niveli i borxhit është më i ulët, në 72 trilionë dollarë në total, por në vitet e fundit rritja ka qenë më e shpejtë, sipas IFN. Raporti mes borxhit dhe PBB në Kinë po i afrohet nivelit 310%, më i larti në vendet me ekonomi në zhvillim.
Një nivel i tillë i borxhit në të gjithë botën përbën rrezik real për ekonominë globale, sidomos për faktin se IFN parashikon që ky nivel do të rritet edhe më tej në vitin 2020, duke arritur në nivelin 257 trilionë dollarë.
CNN thotë se Rezerva Federale uli normën e interesit tri herë vitin e kaluar, ndërsa Banka Qendrore Europiane e mban prej kohësh në nivelet e ulëta të vendosura pas krizës financiare. Por edhe pse kushtet për të marrë borxh janë të favorshme, rreziku i financimit mbetet i madh.
Një tjetër çështje që ngrihet nga raporti i IFN është financimi që i duhet bërë veprimeve urgjente që duhen ndërmarrë për të frenuar ndryshimet klimatike. Sipas një raporti të OKB, brenda vitit 2030 duhen bërë 42 trilionë dollarë investime në infrastrukturë, por IFN thotë se vendet me kapacitete të kufizuara financiare mund të kenë vështirësi për t’i përmbushur këto objektiva.