Policia Kufitare e Rinasit ka intensifikuar masat për evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të atyre shtetasve që braktisin fëmijët e mitur, në vendet e BE-së apo në vende të tjera, me qëllim azilkërkimin.
Policia bën me dije se ka proceduar penalisht një 24-vjeçar, për braktisje me dëshirë të vëllait 16-vjeçar, me qëllim kërkimin e azilit në Gjermani.
Gjatë muajit janar 2023, Policia Kufitare e Rinasit ka proceduar penalisht edhe një 47-vjeçar, pasi kishte dërguar me dëshirën e tij ilegalisht, me qëllim kërkimin e azilit në Angli, djalin e tij të mitur 15-vjeçar.
“Në këtë kuadër është proceduar penalisht, për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”, shtetasi A. P., 24 vjeç, banues në Kukës. Ky shtetas, në datën 11.02.2023, është kthyer si pasagjer i zakonshëm nga Gjermania në Shqipëri dhe gjatë intervistimt të thelluar nga Policia Kufitare e Rinasit rezultoi se kishte braktisur me dëshirë, në Gjermani, vëllanë e mitur 16 vjeç, i cili më pas kishte aplikuar për azil, në Gjermani.
Po në kuadër të këtyre masave, më datë 14 janar, Policia Kufitarr e Rinasit ka proceduar penalisht edhe shtetasin S. D., 47 vjeç, banues në Fushë Krujë. Procedimi ndaj tij filloi sepse djali i tij 15-vjeçar është kthyer deportiv nga Mbretëria e Bashkuar dhe gjatë intervistimit të thelluar rezultoi se shtetasi S. D. e kishte dërguar ilegalisht në Angli, djalin e tij të mitur, me qëllim kërkimin e azilit, ndërsa vetë ky shtetas ndodhej në Shqipëri.”- njofton policia.