Opinione Braktisja e akuzave të Ylli Manjanit

Braktisja e akuzave të Ylli Manjanit

Nga Mero Baze

Ylli Manjani ishte duke thënë të vërtetën sot, kur e shpjegoi shkarkimin nga Kryeministri, për shkak të intervistës së tij në “Top Story”. Kjo ka qenë arsyeja që Edi Rama, javën e kaluar ka kërkuar përmes Ilir Metës dorëheqjen e tij. Për të gjithë ata që kanë harruar, Manjani ka deklaruar se në shumicë ka deputetë që kanë vrarë, dhe  ka akuzuar policinë, se qëndron pas fushatës së kanabizimit të vendit. Të paktën këto deklarata janë shumë të forta për të qenë ende Ministër në një qeveri.

Në çdo vend Perëndimor, një ministër që arrin në këto konkluzione dhe i bën publike, ikën si hero nga qeveria dhe nis një kauzë të fortë morale për të ndryshuar situatën. Dorëheqja është më e pakta që mund të bënte personalisht. Ajo që duhet të bënte, nëse ishte i bindur në ato që tha, ishte të udhëhiqte dhe nje betejë politike kundër asaj që ka konstatuar.

Por ajo që ndodhi ishte e kundërta. Ylli Manjani refuzoi rrugën e dorëheqjes, dhe preferoi ta shkarkonte Kryeministri. Dhe ky është një zhvillim që lë të kuptosh se ato që ka thënë publikisht Manjani, kanë qenë më shumë një përpjekje për të testuar kufirin deri ku mund të poshtërohet një partner në qeveri, se sa një betejë e tij personale.

Ylli Manjani është nga ministrat e aftë të Drejtësisë që ka pasur ky vend. Është problematik si tip, gojështhurur dhe pa shumë takt në debatin publik, i aftë për t’u përdorur për marifete juridike dhe kazuse të vështira, që kërkojnë sforcime morale, por gjithnjë ia del disi. Ka qenë problematik me Fatos Nanon, me Edi Ramën, me Sali Berishën dhe Ilir Metën. Ajo çfarë ka ndodhur para intervistës, mendoj se ka qenë një përpjekje për t’i dhënë Edi Ramës një mesazh poshtërimi për policinë, nga e cila LSI ka frikën se mund t’i prishë punë në zgjedhje. Ajo që ka ndodhur pas intervistës, siç po shikohet nga këto zhvillime, është se Ylli Manjani e ka tejkaluar masën e porosisë për luftë dhe ashtu siç e tha me të drejtë Luan Rama, sot duhet të shkarkohej ose Edi Rama, ose Ylli Manjani. Dhe LSI i hapi rrugë me dhimbje, ikjes së Ylli Manjanit.

Në periudhën nga e marta e shkuar, e deri më sot, kur Edi Rama i ka njoftuar Ilir Metës vendimin për heqjen e Manjanit, ka pasur një betejë frontale të LSI kundër Saimir Tahirit, me shpresë se mund t’ia arrinin kolektivisht, asaj që nuk u arrit individualisht. Gjithçka u mbyll sot me shijen e hidhur që të lë një koalicion, problemet brenda të cilit konsumohen një herë në shtyp, pastaj zgjidhen në zyrë.

Përtej kësaj, pjesa tjetër e fjalimit të Ylli Manjanit, ishte brenda natyrës së tij, për t’i hutuar njerëzit që të mos pyesin përse nuk ike më parë nga kjo qeveri. Sidomos ajo pjesa konspirative seksuale e ministrave me dashnore në “Santa Quaranta”.

Që akuzat e Ylli Manjanit të merrnin kuptim dhe forcë, duhet të shoqëroheshin me dorëheqje vullnetare të tij dhe një lëvizje politike kundër qeverisë, pasi janë aq të forta, sa nuk të lejohet as si qytetar, t’i dish dhe t’i tolerosh, e jo më si ministër Drejtësie.

Hapi i dytë i tij më i butë, do të ishte të pranonte dorëheqjen e ofruar si zgjidhje përmes LSI dhe t’ia linte LSI-së, barrën e betejës kundër Edi Ramës.

Rruga e tretë që ai dhe LSI zgjodhën, për ta shkarkuar si ministër Edi Rama dhe për të qëndruar LSI në qeveri, i zbeh akuzat dhe i personalizon ato, me zakonin e Yllit si njeri i lirë dhe i gatshëm për beteja, qoftë dhe për një llaf goje. Kjo është rruga për të braktisur akuzat e Ylli Manjanit dhe për të rregulluar pasojat e tyre. Është diçka që nuk të bën shumë entuziast, pasi rruga që u ndoq për t’u përballur me akuzat, është një përgënjeshtrim i tyre. Është diçka që Manjani nuk e meritonte si profesionist në drejtësi, por ndoshta i shkon si aktor në politikë. Sidomos nëse këmbëngul të rrijë në LSI dhe LSI të rrijë po në koalicion me PS.