Fushata elektorale po jep efekte negative në përhapjen e koronavirusit. Kreu i Urgjencës Kombëtare tregon se këtë periudhë parazgjedhore janë rritur infektimet në fshatra edhe në ato zona të paprekura më parë nga Covid-19.
“Lëvizjet e mëdha nga partitë politike po transmetojnë virusin. Është një formë e re e përhapjes dhe shifrat e infektimit të këtyre zonave do t’i shohim pas 3-4 javësh. Nga 100 fshatra e qytete që kishim kur filloi fushata, ka arritur në 145 tani”, u shpreh shefi i Urgjencës për A2.
Për Skënder Bratajn, fundit i prillit pritet të shënojë valën e tretë të koronavirusit në vend, por jo më agresive se ajo që kaluam.
“Patjetër që do të ketë një rritje. Fundit i prillit, fillimi i majit do të na japë rezultatet e mosrespektimit të masave. Ndikojnë të gjitha sidomos grumbullimet, vaksina e ul riskun, por nuk e eliminon përhapjen. Personi që ka bërë vaksinën nuk sëmuret, por është transmetues i infeksionit”, shtoi ai.
Por përse nuk gjobiten partitë politike që po shkelin rregullat anti-Covid gjatë takimeve elektorale?
“Ne jemi Komitet Ekspertësh, nuk jemi gjobëvënës dhe as ligjvënës. Ne vazhdojmë t’u themi, të ruajnë distancën, të mbajnë maskën, të ruajnë veten, si politikanët dhe qytetarët. Duhet të kenë parasysh që dëmtimi i shëndetit nuk ka kthim, zgjedhje do ketë përherë”, përfundoi Brataj.
Aktualisht, situata nga pandemia paraqitet e qëndrueshme. Këtë periudhë janë përgjysmuar shtrimet në spital, rastet e rënda dhe humbjet e jetës. Me rritjen e të vaksinuarve, Brataj parashikon një verë dhe sezon turistik më të qetë.