Kreu i Urgjencës Skënder Brataj pranoi në “Absolut 4” se varianti i ri i virusit ka hyrë në vendin tonë pavarësisht përgjigjes zyrtare.
Ai e konsideroi kritike situatën pasi janë rritur të gjithë treguesit, si rritja e infeksioneve shtrimeve në spital dhe vdekjeve.
“Çasti ku jemi është kritik, janë rritur gjithë indikatorët e infeksioneve, të të sëmurëve, të humbjeve të jetëve dhe të shtrimit në spital. Pushimet ishin grumbullimet ulja e temperaturave qëndrimi brenda. Kohëzgjatja ishte mbi 10 ditë. Mendoj që varianti i ri ka ardhur pasi ka një shpeshtim të shpejtë të rasteve si Anglia e vende të tjera. Unë mendoj që virusi është prezent në vendin tonë, pavarësisht përgjigjes zyrtare”.
“Situata kritike”, apeli i mjekut Pilaca: Që nesër të mbyllen shkollat e transporti publik
Mjeku Arben Pilaca ka ngritur alarmin për situatën e koronavirusit në vend, Ai bëri apel që të mbyllen që nesër shkollat, transporti publik dhe aktivitetet jo thelbësore, për të frenuar pandeminë, përkundër tha ai, betejën do ta fitojë virusi. Sipas Pilacës duhet të parandalohet transmetimi.
“Situata që po kalojmë është me të vërtetë kritike, unë do të thoja që nëse ne do i japim avantazh virusit ai vetëm do të na sfidojë dhe do ta fitojë ai betejën. Mekanizmi më i fortë që mund ta frenojmë pandeminë është lufta në terren jashtëspitalore. Gjurmimi, izolimi nuk mjafton, duhet të parandalojmë transmetimin sa të mundim.
Modeli ynë në fazën e dytë i ngjan Suedisë, e cila dështoi. Mendoj që masat shtrënguese janë të vonuara. Unë jam për ndërhyrje të forta, që kur e kishim kurbën më të ulët. Nuk them për gjoba e orare të kufizuara. Që nesër padiskutim të mbyllen shkollat e lokalet dhe aktivitetet që nuk janë jetësore, janë shumë gjëra që na jep ndjesia profesionale, kafet, restorantet dhe transporti publik të mbyllet që nesër”.
Duke folur për ekonominë, Pilaca tha se duhet të mendohet edhe për atë që harxhojnë njerëzit e sëmurë, Ai thekson se nuk është për bllokim total por për masa të forta.
“Kam një dhimbje për ekonominë por e mendoni sa harxhojnë njerëzit e sëmurë. Nuk jam për bllokim total, por për masa të tilla të forta, jo për gjobë. Duhet distancuar njerëzit, është tmerr në rrugët e Tiranës dhe Shqipërisë, janë të mbushura”.