Sekretarja e Brendshme e Britanisë së Madhe, Suella Braverman ka paralajmëruar për një valë të re emigrantësh shqiptarë që shkojnë në Angli përmes varkave të vogla.
Britanikja “The Telegraph” shkruan se ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë i ka dorëzuar një studim të bërë prej tyre që tregon se shumë të rinj shqiptarë synojnë që të shkojnë drejt Britanisë gjatë kësaj vere.
Sipas këtij sondazhi, për të cilin thuhet se është bërë në 1800 familje në Kukës, gjysma e të rinjve të moshave nga 17 deri në 22 vjeç, dëshirojnë që të emigrojnë drejt Britanisë së Madhe, pavarësisht rreziqeve të rrugës me destinacion shtetin ishullor.
Një ditë më parë Kryeministri britanik Rishi Sunak tha se falë marrëveshjes së Britanisë me Shqipërinë ka një ulje me 90% të fluksit të varkave të vogla me emigrantë shqiptarë që shkojnë në Angli. Po kështu, sipas Sunak, ulje ka pësuar edhe numri i aplikimeve për azil nga ana e shqiptarëve në Britani të Madhe.
Sipas mediave britanike, qeveria po synon që të çojë një tjetër ligj në Parlament për t’u miratuar që synon të përshpejtojë akoma më shumë procesin e kthimit të varkave dhe procedurën e kërkesave për aplikim për azil nga emigrantët, me qëllim kthimin e tyre në vendet e origjinës.