Argjentina i bëri një surprizë të hidhur Brazilit në mitikun Maracana teksa e mposhti Selecaon me shifrat 0-1 në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Botërorit të vitit 2026. Kjo ishte një disfatë historike për pesë herë Kampionët e Botës duke qenë se për herë të parë u mposhtën në shtëpi në një ndeshje kualifikuese për Botëror.
Sfida nisi me 27 minuta vonesë për shkak të përleshjeve mes tifozëve në tribuna, teksa u desh ndërhyrja e policisë. Kjo e fundit në fakt, acaroi edhe më shumë tifozët miq duke i goditur ata me shkopinj gome, ndërsa nuk ngurroi të ndërhynte edhe portieri Emiliano Martinez, që shkoi në mbrojtje të bashkëkombasve të tij.
Kampionët e botës, të udhëhequr nga kapiteni Lionel Messi, shkuan pranë tribunave në përpjekje për t’i qetësuar gjakrat, para se të largoheshin nga fusha për t’u kthyer në dhomat e zhveshjes përkohësisht.
Sa i përket ndeshjes, ajo u vendos në pjesën e dytë nga një gol me kokë i mbrojtësit Nicolas Otamendi në minutën e 63-të. Nëntë minuta para fundit, Brazili mbeti me 10 lojtarë pasi Joelington u përjashtua me karton të kuq pasi nuk i mbajti nervat ndaj De Paul.
Argjentina ia doli ta ruante avantazhin deri në fund dhe i shkaktoi Brazilit humbjen e tretë radhazi në këto eliminatore për Botërorin 2026. Aktualisht, kryeson renditjen e grupit në Amerikën e Jugut me 15 pikë, ndërsa Brazili “rrëshqet” në vendin e gjashtë me vetëm shtatë pikë pas gjashtë ndeshjesh të luajtura.
“Mund të kishte ndodhur një tragjedi”, Messi: Policia goditi tifozët, kishim familjarët në tribuna
Për kapitenin Lionel Messi, rezultati kaloi në plan të dytë. Sulmuesi theksoi se policia braziliane goditi tifozët argjentinas, aty ku ishin edhe disa prej familjarëve të lojtarëve të kombëtares.
“Mund të kishte ndodhur një tragjedi. Ne i pamë forcat e rendit që po godisnin tifozët, nuk është hera e parë që diçka e tillë ndodh në Brazil. Edhe disa prej familjarëve tanë ishin në ato tribuna. Diçka e ngjashme ndodhi edhe në finalen e Kupës Libertadores.
Ata këtu janë të fokusuar, nuk mendojnë për fushën e lojës. Ne u detyruam të ktheheshim në dhomat e zhveshjes pasi na u duk e vetmja mënyrë për të qetësuar situatën. Ne vazhdojmë të bëjmë histori dhe të arrijmë suksese të mëdha”, u shpreh Messi.
Ndërkohë, sipas mediave, janë tetë personat e arrestuar nga policia teksa gjithçka nisi në momentin e himnit kombëtar të Argjentinës që u vërshëllye në masë. Në këtë ndeshje, tifozeritë nuk ishin të izoluara nga njëra-tjetra dhe në sektorin ku nisi sherri ishin të vendosur rreth tre mijë argjentinas. Ndeshja rifilloi vetëm pasi policia mundi më pas të ndante tifozeritë dhe të krijonte një kordon sigurie.