Në Rio de Janeiro, qytetin më të madh të Brazilit, janë hapur varre masive për viktimat e koronavirusit që sa vijnë e shtohen.
Një ditë më parë, pasi shteti më i madh i Amerikës Latine u bë vendi i tretë në botë për numër të infektuarish, pas SHBA-ve dhe Rusisë, duke kaluar kështu Britaninë e madhe.
Brazili shënoi më shumë se 1000 të vdekur brenda 24 orëve të fundit, dhe numëroi 275,382 raste të infektuarish në total.
Totali i të vdekurve nga COVID-19 ka shkuar në 18,130 viktima.
Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik në San Paolo, qytetin më të prekur, e pranon që po e humbasin betejën me virusin.
“Po e humbim betejën me virusin dhe ky është realiteti. Virusi është duke e fituar luftën tani. Tani vijnë pushimet, por unë nuk i shoh si pushime. I shoh si ditë beteje. Janë ditët më të rëndësishme në luftën kundër koronavirusit”, tha ai.
Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, ka pasur rënie të popullaritetit për shkak të pandemisë. Tre ministra të kabinetit kanë dhënë dorëheqjen brenda një muaji. Megjithatë, vazhdon t’i ketë mbështetësit bazë, teksa u bën thirrje guvernatorëve të shteteve që ‘ti hapin bizneset.
“Duhet të shkojmë në punë. Nëse do të vdesim, le të vdesim. Duhet t’i kthehemi normalitetit”, thotë një mbështetëse e tij për gazetarët.
Por shumë guvernatorë dhe kryetarë bashkish nëpër Brazil duan që të vazhdojnë me masat kufizuese.
“Jam dakord me guvernatorin dhe kryetarët e bashkisë”, thotë një banore. “Nuk jam dakord me presidentin, sepse atij i duket lojë. Po bën punë të dobët. Iu larguan tre ministra në një muaj dhe ka thënë gjëra që nuk duhen thënë. Kjo na tremb edhe më shumë”.
Bilanci tragjik vjen mes paralajmërimeve se sistemi shëndetësor në shumë qytete të mëdha në Amerikën Latine rrezikojnë kolapsin. Më shumë se 85 përqind e shtretërve në terapitë intensive te Rio de Janeiro dhe Sao Paolo janë zënë. Rëndimi i krizës shëndetësore atje, ka shtyrë presidentin amerikan Donald Trump të konsiderojë ndalimin e udhëtimeve nga Brazili.