Autoritetet në Brazil vendosën të heqin të dhënat disa mujore të pandemisë së koronavirusit në faqen zyrtare të qeverisë, në një lëvizje që ka rritur dhe më shumë zemërimin ndaj presidentit Jair Bolsonaro për mënyrën se si ai po e përballon këtë situatë.
Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se do të publikojë vetëm të dhënat e 24 orëve të fundit nga koronavirusi dhe jo bilancin total, siç bëjnë pjesa më e madhe e vendeve të botës.
Sipas presidenti Bolsonaro, marrja e këtij vendimi është bërë sepse shifra e përgjithshme e viktimave dhe e të prekurve nga pandemia nuk pasqyron tablonë e vërtetë të efekteve të Covid-19 në vend.
Brazili renditet i dyti për sa i përket personave të infektuar me koronavirus dhe ditët e fundit raporton numrat më të mëdha të vdekjeve se çdo vend tjetër. Momentalisht ai numëron 640 mijë të prekur dhe 35 mijë viktima, por shifrat mendohet të jenë më të mëdha për shkak të mungesës së testimeve.