Aktualitet Breçani: Nëse jam në burg, jam prej djalit. I kam shërbyer këtij...

Breçani: Nëse jam në burg, jam prej djalit. I kam shërbyer këtij shteti duke vënë jetën në rrezik

Gjykata e Posaçme ka lënë në burg ish-nëndrejtorin e policisë së Tiranës, Erzen Breçanin dhe tre personat e tjerë të arrestuar me urdhër të SPAK.

Së bashku me Breçanin, në burg do të qëndrojnë edhe Dedian Gjoni, Bujar Germizi dhe Bujar Ajeti, deri në përfundim të hetimeve.

Breçani ka mohuar të jetë i përfshirë në ndonjë ngjarje apo veprimtari kriminale. Para togave të zeza, Breçani ka deklaruar se ndodhet sot pas hekurave për veprimet e të birit, të cilin e ka këshilluar të mos merret me veprimtari ilegale.

“Nëse jam në burg jam prej djalit. E kam këshilluar të mos merret me gjëra të paligjshme. Nuk e di ça ka bërë, nuk kam prova me ça merret im bir. Vetë i kam shërbyer këtij shteti, ku kam vënë edhe jetën në rrezik”, është shprehur mes të tjera Breçani në sallë të gjyqit, ndërsa ka përmendur disa nga aksionet që ka bërë dhe personazhet që ka arrestuar.

SPAK e akuzon Breçanin për pastrim parash, ndërsa djalin e tij, i cili është shpallur në kërkim për trafik droge.

Kujtojmë se SPAK lëshoi të hënën 11 urdhërarreste, ndaj grupit që akuzohet për trafik ndërkombëtar të kokainës, pastrim parash e sigurim kushtesh për vrasje. Aktualisht në kërkim janë Ervin Mata, Ismail Zeneli, Artan Sulejmani, Albert Prenga, Bajram Grabova dhe Eralbi Breçani.