Gati një vit pas fillimit të sulmeve ndaj Ukrainës, liderët botërorë takohen në Konferencën e Sigurisë në Mynih, për të diskutuar mbi sigurinë dhe mbrojtjen globale.
Konferenca e 59-të, vjetore e Sigurisë së Mynihut (MSC) filloi sot, në Mynih, me mbledhjen e liderëve botërorë, që do të diskutojnë për sigurinë globale, mbrojtjen, teknologjinë dhe qëndrueshmërinë, duke e mbajtur fokusin në pushtimin rus që vazhdon ende në Ukrainë. Krahas shumë liderëve botërorë dhe evropianë, në Konferencë morën pjesë Kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez, Emanuel Macron, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, e të tjerë figura të rëndësishme të politikës botërore.
“Ka kaluar pothuajse një vit nga fillimi i sulmeve në Ukrainës, ndaj është koha që të bëjmë bilancet e të gjitha efekteve që solli kjo luftë. Ajo që na pret në të ardhmen do të jetë një tjetër diskutim i rëndësishëm në këtë edicion të konferencës, ku Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal për Ballkanin Perëndimor është i pranishëm pasi rajoni ynë është një hallkë shumë e rëndësihme në rrjetin e sigurisë dhe të stabilitetit në Europë. Siç është dhe moto i këtij eventi: Të punosh dhe të ndërveprosh, është më mirë se t’japësh mend, apo më keq akoma, të injorosh!”- tha Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së, Majlinda Bregu para fillimit të Konferencës.
Në ditën e parë të Konferencës, Bregu mori pjesë në një panel diskutimi si dhe pati disa takime dypalëshe, ndër më i fryshmi, ai me Ministren Federale të Austrisë, për Bashkimin Evropian dhe Kushtetutën Karoline Edtstadler.
Më tej dita vijoi me një tjetër event të nivelit të lartë “Ariu rus nuk bie lehtë në letargji: A do të jetë Ballkani zona e ardhshme e konfliktit!?” të bashkëorganizuar nga Qendra e Beogradit për Politikën e Sigurisë dhe Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë. Ishin të pranishëm Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajcak, senatori amerikan, Jeanne Shaheen, zëvendëskryetari i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë Thomas Erndl, Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së Majlinda Bregu, deputeti i Bundestagut gjerman, Robin Wagener, Drejtoresha e Qendrës së Gjenevës për Politika të Sigurisë Thomas Greminger, Zëvendës Presidente & COO Shoqëria e Hapur Sandra Breka, ish-presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović etj.
Në dy ditët e ardhshme, Konferenca e Sigurisë në Mynih 2023, do të shërbejë si një platformë për debatet e nivelit të lartë, mbi sfidat kryesore të politikës së jashtme dhe të sigurisë të kohës sonë, ku do të jenë prezentë të tjerë liderë të rëndësishëm botërorë, Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, Kamala Harris, Nënkryetare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rishi Sunak, Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut e të tjerë.