Kryesore Bregu merr detyrën e sekretares së përgjithshme të KBR: Do europianizojmë rajonin!

Bregu merr detyrën e sekretares së përgjithshme të KBR: Do europianizojmë rajonin!

Majlinda Bregu mori sot detyrën e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (KBR), pas emërimit të saj nga Ministrat e Jashtëm të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP) në Brdo pri Kranju, Slloveni më 23 prill 2018.

Ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu është zhvendosur në Sarajevë, aty ku ka nisur zyrtarisht punën në institucionin që varet nga BE.

Me një postim në Facebook, ish-deputetja e PD thotë se do të angazhohet maksimalisht për të çuar përpara punën e KBR-së, në mënyrë që Ballkani Perëndimor të reformohet dhe europianizohet.

“Përtej dallimeve dhe kufijve gjeografikë, kemi një interes të përbashkët! Jean Monnet ishte i bindur se “kombet europiane duhej të bashkohen për të mbijetuar”. E njëjta gjë vlen edhe për Ballkanin Perëndimor. Për të ruajtur peshën në një botë që po ndryshon shpejt, duhet të forcojmë marrëdhëniet tona. Bashkëpunimi është kryefjala”, thekson Bregu.

Deklarata:

Jam e nderuar të marr detyrën e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe krenare që në një zonë ku për vite sfida ka qenë mbajtja gjallë e konfliktit, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ka ndihmuar për fuqizimin e një realiteti të ri: atë të angazhimit të përbashkët të të gjitha vendeve të BP për të ardhmen europiane të rajonit.

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ka qenë i suksesshëm në gjenerimin e një mbështetjeje të konsiderueshme për reformat në Europën Jug-Lindore, dhe kështu do vijojë të jetë!

Për këtë arsye jam e bindur se së bashku, nën drejtimin politik të SEECP dhe mbështetjen e BE, duke përfshirë median, shoqërinë civile, ne do të përpiqemi të bëjmë zgjedhje të mençura, që nxisin dialogun më të gjitha grupet në shoqëri.

Nuk do të jetë e lehtë, do të jetë një sfidë si të notosh mes situatash të vështira ekonomike, shoqërore dhe politike.

E ardhmja e rajonit lidhet ngushtësisht me ndërlidhjen.

Integrimi i ekonomive tona në një treg të vetëm, lidhja e njerëzve dhe bashkëjetesa e vlerave; investimi në kapitalin njerëzor dhe intelektual, çdo reformë lidhet me interesin tonë të përbashkët politik, atë të sigurisë dhe dukshëm me atë ekonomik.

Nuk është rastësore që nevoja për Evropë në rajon është kaq e fuqishme.

Jam e bindur që ritmi i zhvillimit rajonal do të ndikojë në ritmin e integrimit tonë europian, për mua është një privilegj shumë i madh që do të drejtoj KBR (RCC), po aq sa është një sfidë të cilën bashkë me përkushtimin e stafit të të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal shpresoj ta përballoj faqebardhë!