Samiti BE-BP rithekson se forcimi i Tregut të Përbashkët Rajonal është një hap themeltar drejtë integrimit në BE
Bruksel – Liderët e Bashkimit Evropian (BE) dhe të Ballkanit Perëndimor (BP) përsëritën në Samitin BE-BP, të organizuar nga Këshilli i BE-së dje në Bruksel, angazhimin e përbashkët për të rritur përpjekjet për të forcuar integrimin e Ballkanit Perëndimor me Tregun Unik të BE-së, me Tregun e Përbashkët Rajonal të BP- së (CRM) që shërben si një hap themeltar për integrimin e rajonit në BE.
“Një vit pas Samitit BE-BP në Tiranë, ne ndjejmë edhe më shumë hapat dhe ndjesinë emergjente për reforma dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal nga ana e rajonit, dhe për gatishmërinë institucionale dhe buxhetore të një BE-je të përshtatshme për zgjerim. Thellimi i integrimit tonë ekonomik dhe vazhdimi i ndërtimit të politikave që na bashkojnë më shumë me BE-në, është gjithmonë i vlefshëm. Një Treg i Përbashkët Rajonal i vërtetë dhe plotësisht funksional, i papenguar nga mosmarrëveshjet rajonale, mund të jetë anija jonë drejt Tregut Unik të BE-së, i cili, sipas të gjitha gjasave, do të jetë perspektiva jonë e ardhshme”, tha në samit Sekretarja e Përgjithshme e RCC, Majlinda Bregu.
BE-ja e ftoi rajonin, me ndihmën e RCC-së dhe partnerëve për të përgatitur një pasardhës ambicioz të planit aktual të veprimit CRM përpara se ai aktual të përfundojë në 2024.
“Faza e re e Tregut të Përbashkët Rajonal që RCC filloi të përcaktojë duke pasur parasysh 4 liritë e Tregut Unik të BE-së, do të përfshijë synime të qarta strategjike në fusha të tilla si arsimi, inovacioni, dixhitalizimi, axhenda e gjelbër, energjia, ndotja e ajrit, migrimi, ikja e trurit , dhe fuqizimi ekonomik i grave. Zhvillimi i potencialit të rajonit do të kërkojë burime të reja dinamizmi dhe transformimi për të kapërcyer sfidat. Megjithatë, në mënyrë që të kemi plotësisht në funksion motorët e evropianizimit dhe konvergjencës, CRM dhe Plani i Rritjes i BE-së i publikuar së fundmi për rajonin, do të duhet të shoqërohen me debatin buxhetor dhe rregullimin e instrumenteve të BE-së si Marrëveshjet e Stabilizim Asoccimit”, shtoi Bregu.
Udhëheqësit BE-BP mirëpritën reduktimin e kostove të roaming-ut midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që nga 1 tetori 2023, një arritje e lehtësuar nga RCC dhe BE, me synimin për të zhvilluar një marrëveshje afatgjatë roaming për të përfshirë rajonin në zonën e BE-së ‘Roam like at home’. Është shprehur vullneti për vazhdimin e rritjes së sigurisë kibernetike në bashkëpunim me Ballkanin Perëndimor, duke theksuar rëndësinë në rritje të RCC në rolin lehtësues në këtë fushë.
“Jemi përpara një pune kolosale, në qendër të së cilës do të jenë reformat e brendshme, integrimi ekonomik dhe bashkëpunimi rajonal si dhe përafrimi me çdo kusht me BE”, përfundoi Bregu.
Pjesëmarrësit e Samitit nënvizuan nevojën e angazhimit nga partnerët e Ballkanit Perëndimor për bashkëpunim rajonal gjithëpërfshirës dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, përfshirë edhe me shtetet anëtare të BE-së.