Procesi i Berlinit: Liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruajnë Fazën e Re të Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal
Berlin – Liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruan një fazë të re të Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal 2025 – 2028 (CRM 2.0), ndërsa vlerësuar punën e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) dhe partnerëve në përgatitjen e dokumentit, në Samitin që shënoi edhe 10-vjetorin e Procesit të Berlinit, mbajtur sot në kryeqytetin gjerman.
Liderët gjithashtu nënshkruan Marrëveshjen për Qasje në Arsimin e Lartë dhe Pranimin për Studim në Ballkanin Perëndimor, si dhe miratuan Deklaratën për Qasjen dhe Bashkëpunimin në Infrastrukturën e Kërkimit dhe Inovacionit, e po ashtu edhe Deklaratën mbi Standardet e Shqyrtimit të Investimeve të Huaja Direkte (FDI) Rajonale.
“Liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruan sot planin që do të respektojnë për 4 vitet e ardhshme – faza e dytë e Tregut të Përbashkët Rajonal është një plan për rritje të qëndrueshme. Ai është një kuadër unifikues i bashkëpunimit rajonal për mirëqenien e përbashkët ose interesat e përbashkëta në lojën globale. Në të gjitha fushat–digjitalizimi, tregtia, investimet, inovacioni, politikat e gjelbërta etj – që filluan të bëhen të dukshme gjatë fazës së parë të CRM, puna për integrimin ekonomik rajonal përmes planit CRM të nënshkruar sot, ankorohet fort në Planin e Rritjes së BE-së,” tha në Samit Sekretarja e Përgjithshme e RCC, Majlinda Bregu.
Liderët e Procesit të Berlinit pranuan rezultatet e arritura në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal 2021 – 2024, si dhe rolin e RCC në lehtësimin e tij, duke përfshirë lirinë e lëvizjes me kartat e identitetit, njohjen e ndërsjellë të arsimit të lartë dhe kualifikimeve profesionale brenda rajonit, funksionimin plotësisht të Roaming si në Shtëpi brenda Ballkanit Perëndimor, reduktimin e tarifave të roamingut mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, avancimin drejt anëtarësimit në Zonën e Pagesave në Euro (SEPA), krijimin e Korridoreve të Gjelbër dhe reduktimin e kohës së pritjes, dhe duartrokitën përpjekjet e investuara në forcimin e bashkëpunimit rajonal. Ata theksuan nevojën për rritjen e bashkëpunimit rajonal përmes CRM 2.0.
“Pas 6 vjetësh të mandatit tim si Sekretare e Përgjithshme e RCC, mund të them se kurrë ky rajon nuk ka qenë kaq i lirë dhe kaq i vetëdijshëm siç është tani, për rëndësinë e bashkëpunimit. Të gjithë i detyrohemi procesit të integrimit në BE. Tregu i Përbashkët Rajonal është një mundësi e shkëlqyer, por ka një sfidë themelore: të kultivojë një vizion të përbashkët dhe një qëllim të qartë për të ardhmen tonë në Europë. Ndërsa punojmë për integrimin e tregjeve, ne gjithashtu kultivojmë një identitet të përbashkët europian, duke reduktuar joshjen e politikave izolacioniste dhe duke theksuar përfitimet e bashkëpunimit si forcë motivuese për përparim. Siç thotë dhe Jean Monet: “Ne nuk po formojmë një koalicion shtetesh, po bashkojmë njerëzit”’ përfundoi Bregu.
Marrëveshja për Qasjen në Arsimin e Lartë dhe Pranimin për Studim në Ballkanin Perëndimor e nënshkruar sot është një marrëveshje e re që synon të rrisë lëvizshmërinë e studentëve dhe t’u japë atyre të drejtën për të studiuar në institucione të akredituara të arsimit të lartë në rajon. Së bashku me marrëveshjet e mobilitetit të nënshkruara në Samitet e Procesit të Berlinit në 2022 dhe 2023, kjo marrëveshje do të rrisë më tej mundësitë për lëvizje të lirë në Ballkanin Perëndimor. Deklaratat mbi Qasjen dhe Bashkëpunimin në Infrastrukturën e Kërkimit dhe Inovacionit, dhe mbi Standardet e Shqyrtimit të Investimeve të Huaja Direkte për Ballkanin Perëndimor, të miratuara sot, synojnë të promovojnë partneritetet e kërkimeve dhe inovacionit, të kultivojnë një ekosistem dinamik të inovacionit rajonal, si dhe të përshtatin politikën e investimeve me normat e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Liderët e Procesit të Berlinit mirëpritën rezultatet e Takimit të Parë Ministror mbi Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor (GAWB), të organizuar nga RCC javën e kaluar në Hamburg. Ai takim rezultoi në miratimin e Deklaratës së Hamburgut mbi Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor që rinovoi dhe forcoi angazhimin e Ballkanit Perëndimor për zbatimin e plotë dhe në kohë të GAWB dhe Planit të tij të Veprimit 2021-2030, zbatimi i të cilit po lehtësohet dhe monitorohet nga RCC, me vizionin për të arritur neutralitetin klimatik deri në vitin 2050.