Më 1 tetor 2020, Walid Elhouderi, u njoftua për të marrë pjesë në një takim me disa ambasadorë në kryeqytetin e Libisë, Tripoli.
Pasi mbaroi takimi, ai kujton se shoqëroi ambasadorin kongolezë me makinë, ndërsa më pas u rikthye menjëherë në sallë për të marrë gjërat e tij.
“Sapo u ktheva, katër persona po më prisnin. Ata më dhunuan menjëherë. Po më godisnin. Më vendosën një armë në bark dhe më rrëmbyen. Pas kësaj, unë u zhduka. As nuk e disa se ku isha”, tregon për BBC Elhouderi.
Katër personat ishin dërguar nga shërbimet e inteligjencës, tregon Walid. Ai u dërgua në një nga burgjet sekrete të Tripolit, ndonjëherë të administruar edhe nga milicitë që kontrollojnë disa pjesë të kryeqytetit.
Pas revolucionit të vitit 2011 në Libi, që solli përmbysjen e regjimit të gjatë të Muammar Gaddafi dhe e zhyti vendin në kaos, OKB ka dokumentuar shpesh fenomenin e zhdukjes së personave.
“Për 47 ditë, askush nuk dinte asgjë se ku isha”, thotë Elhouderi. Ditët dhe javët në vazhdim ishin të tmerrshme. Ai u akuzua se u përpoq të vidhte informacione sekrete të mbrojtjes dhe u vendos në izolim, duke u transferuar në një vend tjetër, u torturua dhe u shpërfytyrua nga ai që kishte qenë më parë.
“Nuk më dhanë ujë për tri ditë me radhë dhe vinin më godisnin në kurriz tri herë në ditë. Nuk më bënin asnjë pyetje, asgjë”, kujton ai.
Pas rreth dy javësh, Elhouderi më në fund u dërgua për t’u marrë në pyetje dhe dhuna u ndal. Një muaj më vonë, në mes të nëntorit 2020, së bashku me një tjetër person, u transferuan në burgun shtetëror al-Rweimi në Tripoli.
“Ditën që shkuam në atë burg, u ndjeva sikur isha i lirë edhe pse isha në burg. Ne e dinim se do të kalonim edhe 13 muaj në atë objekt”.
Kur u ndalua, Elhouderi kishte vetëm pak muaj që punonte në departamentin e përkthimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai u akuzua fillimisht për “shkelje të sistemit të informacionit sekret të ministrisë”. Walid u akuzua për instalimin e disa aparaturave në serverin e Ministrisë që ishin të lidhura me një server në Francë, ku babai i tij ishte ambasador. Ministria franceze e Punëve të Jashtme nuk pranoi të komentojë mbi rastin.
Për Elhouderi-n, e gjitha që ndodhi ishte një “komplot”, duke akuzuar për këtë drejtorin e tij, si një njeri që ai thotë se ka lidhje të forta në Tripoli.
Në fund, pas muajsh lobimi nga familja e tij, avokatët e tij dhe Komisioni Kombëtar për të Drejtat e Njeriut në Libi (NCHRL), për të cilin Elhouderi ishte vullnetar, gjykata arriti në përfundimin se akuzat “nuk bazoheshin në fakte, por ishin ngritur pas përplasjeve mes bashkëpunëtorëve. Në vendimin e lirimit theksohet gjithashtu se Elhouderi u detyrua të rrëfehej nën presion, duke u ndeshur me dhunë fizike dhe psikologjike.
BBC shkruan se ajo që ndodhi me Elhouderi është një dëshmi e një kulture te shfrenuar të korrupsionit dhe mosndëshkimit në një shtet që ia ka lënë pushtetin kryesisht arbitraritetit të interesave personale dhe ndikimit të milicive. / BBC