Drejtoresha e Qendrës Shtetërore te Arsimit, Rezana Vrapi, ka treguar detaje nga procesi i Maturës Shtetërore. Në një konferencë për mediat, duke folur për testin e Matematikës, Vrapi tha se ishte mesatar dhe nxënësit e mirë nuk kanë hasur në probleme.
Ndërkohë për sa i përket rezultateve të provimeve, drejtorja QSHA tha se brenda javës së ardhshme do të publikohen ato të gjuhës së huaj dhe më pas Letërsia dhe Gjuha Shqipe dhe më pas Matematika.
“Javës tjetër do të kemi rezultatet e gjuhës së huaj, por po punojmë dhe me gjuhën Shqipe dhe ndërkohë kemi filluar dhe me Matematikën. Do punojmë që të kapim afatet që në 5 Korrik të japim diplomat“, tha Vrapi.
Më tej ajo tregoi dhe numrin e nxënësve që janë kapur me celular gjatë procesit të provimit, duke thënë se janë 13 dhe testet e tyre nuk janë korrigjuar fare.
“Janë 8 që janë kapur me celular në gjuhën e huaj. Testet e tyre nuk preken fare me dorë, nuk korrigjohen edhe pse mund të kenë bërë të gjitha pyetjet. Ndërkohë në testin e gjuhës shqipe janë kapur 5 nxënës me celular dhe këta janë kaluar automatikisht për sezonin e Vjeshtës“, shtoi drejtoresha e QSHA.