Në Durrës vijon vaksinimi i të moshuarve mbi moshën 80-vjeçare. Kryeministri Edi Rama ishte këtë të martë prezent në ambientet e pallatit të sportit aty ku po zhvillohet procesi.
Kreu i qeverisë shoqërohej nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e cila tha se brenda muajit Mars do të nisë vaksinimi i mësuesve me vaksinën AstraZeneca.
“Do të fillojmë me mësuesit dhe do të bëjmë një vaksinim siç e kemi menduar në shkolla. Jemi duke përzgjedhur infermierët të cilët fillojnë trajnimin brenda kësaj jave”, tha ajo.
Ministrja u shpreh se brenda gjysmës së parë të Marsit pritet që të mbyllet vaksinimi i mjekëve dhe infermierëve. Gjithsej janë më shumë se 11 mijë bluza të bardha që janë vaksinuar.
“Mjekët dhe infermierët mbarojnë brenda 15 Marsit sepse ka mjekë dhe infermierë që e kanë kaluar dhe mund ta bëjmë në një fazë të dytë. Ky është një vlerësim që po e bëjmë në dinamikë. Në tërësi janë më shumë se 11 mijë mjekë dhe infermierë që e kanë kryer deri më tani vaksinimin”, tha Manastirliu.
Mirëpo gjatë vizitës së kreut të qeverisë në Durrës nuk kanë munguar batutat me të moshuarit. Rama tha me humor se arsyeja pse ka më shumë burra se gra që paraqiten për t’u vaksinuar është se burrat kanë frikë.
I moshuari: Shumë faleminderit! Rrofsh sa malet, marrsh nga ditët tona.
Edi Rama: Jo, larg qoftë nga ditët tuaja!
I moshuari: Jo, të rrosh ti!
Mbi 32 mijë vaksina të Pfizer kanë mbërritur deri tani në Shqipëri, ndërsa pritet të vijojë furnizimi nga kontrata direkte me Pfizer, përgjatë muajit Mars, Prill e në vijim.
Ndërsa, nëpërmjet instrumentit COVAX, pritet të mbërrijnë brenda dy javëve të para të marsit, 14 400 vaksina AstraZeneca dhe po vijojnë përpjekjet për sigurimin e dozave të tjera të vaksinave.