Bota Brenda ndërtesës ku nazistët shikonin “spektaklin e xhuxhëve”, para se të bënin...

Brenda ndërtesës ku nazistët shikonin “spektaklin e xhuxhëve”, para se të bënin eksperimente me ta

Një fotografi bardhë e zi, ku shihen oficerë nazistë të qeshur përpara një ndërtese me dru, tregon horroret e Luftës së Dytë Botërore që njihen shumë pak.

Kjo ndërtesë shërbente si një vend relaksi për gjermanët e stacionuar në kampin Auschwitz-Birkenau, por për të burgosurit në kamp ishte një vend degradimi dhe dëshpërimi.

E ndërtuar nga të burgosurit dhe e hapur në fillim të vitit 1942, shërbente si një “klub social” për oficerët dhe familjet e tyre. Në 3 vitet e aktivitetit të tij, ky klub mirëpriti kabare, skeçe, koncerte orkestrale dhe ndeshje boksi. Madje, në oborrin e ndërtesës u organizuan edhe gara me kuaj për fëmijët.

Por, aty performuan edhe të burgosurit e kampit, përfshirë 7 hebrenj rumunë xhuxhë, të cilët tërhoqën vëmendjen e famëkeqit Josef Mengele, doktorit nazist që u cilësua si “Engjëlli i vdekjes”. Përpara se të dërgoheshin në Auschwitz, në maj 1944, familja Ovitz ishte e njohur në të gjithë botën për spektaklet e tyre, me emrin “Trupa e Liliputëve”. Por, në kamp ata u shfaqën si “Spektakli i xhuxhëve të Dr. Mengele”.

Ky doktor ishte ai që ndante prurjet e reja në kamp. Ai zgjidhte cilët shkonin në dhomën e gazit, cilët shkonin për punë të detyruar dhe cilët bëheshin subjekte të eksperimenteve të tij mizore. Këta të fundit zakonisht ishin binjakë ose njerëz që përbënin interes për të. Edhe pse ata jetonin në kushte më të mira se të tjerët, të përzgjedhurit e doktorit ishin subjekt i eksperimenteve çnjerëzore. Xhuxhëve u merrej palca e kockave dhe u shkuleshin dhëmbët pa mpirje. Qëllimi i eksperimenteve ishte për të gjetur shenja trashëgueshmërie mes familjes së xhuxhëve.

Në klubin social, doktori i detyronte xhuxhët që të zhvisheshin dhe ia prezantonte oficerëve si shembull se “raca çifute” po degjeneron në xhuxhë dhe sakatë.

7 motrat dhe vëllezërit i mbijetuan tmerreve të kampit të përqendrimit dhe jetuan në Bashkimin Sovjetik deri në vitin 1949, përpara se të transferoheshin në Izrael dhe të rinisnin shfaqjet.