Ish-e dashura e Kim Jong Un, Hyon Song-Wol, këngëtare e muzikës pop, është parë gjithmonë e më shumë në krah të diktatorit të Koresë së Veriut, duke shtuar spekulimet se ka kaluar të motrën e tij në sytë e liderit suprem.
Lajmin e raporton gazeta britanike “Times”, sipas së cilës 43-vjeçarja, e cila është edhe soliste e një grupi muzikor të quajtur Moranbong, e shoqëron 36-vjeçarin më shpesh në udhëtime zyrtare, si dhe mori pjesë në një paradë ushtarake të mbajtur këtë muaj. Mendohet se ajo ka marrë përsipër shumë detyra që më parë i kryente motra e vogël e tij, Kim Yo-jong.
Gjatë paradës së 10 tetorit, Hyon shoqëronte zyrtarët e lartë koreano-veriorë në vende te tyre dhe gjithashtu mori me vete lulet që iu dhanë liderit, detyra që më parë i bënte e motra. Ajo është gjithashtu edhe anëtare e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Koresë, që drejtohet nga Kim Jong Un.
Sipas shërbimeve inteligjente koreano-jugore, Hyon dhe Kim kanë qenë të përfshirë në një histori romantike një dekadë më parë, kur ai u kthye nga një shkollë private në Bernë. Ndërsa motra e Kim, 32 vjeç, është zhdukur nga daljet publike prej më shumë se një muaji, edhe pse përshkruhej si numri 2 dhe si pasardhëse e regjimit, pas zërave për probleme shëndetësore të diktatorit.
Edhe bashkëshortja, Ri Jol-su nuk duket në publik që prej muajit janar, duke i dhënë jetë spekulimeve që mund të jetë në pritje të një fëmije. Çifti besohet se kanë tre fëmijë, më i madhi 10 vjeç.
Situata brenda “oborrit” të liderit suprem bëhet edhe më e intriguar, pasi ringritja në majën e piramidës të ish-të dashurës duket një kthesë 180 gradëshe e diktatorit, i cili në vitin 2013 raportohej se donte të ekzekutonte Hyon për shkak se ajo i kishte bërë një video me përmbajtje seksuale. Marrëdhënia mes tyre mori fund pasi nuk miratohej nga babai i Kim jong Un, Kim Jong Il dhe Hyon më pas u martua me një oficer të ushtrisë, edhe pse zërat për vazhdimin e lidhjes mes tyre në fshehtësi nuk u shuan kurrë.