Tenerife në Spanjë është e njohur për plazhet e saj të mrekullueshme, por ka edhe anën e saj të frikshme, në formën e një qyteti fantazmë.
Sanatorio de Abona, në bregdetin juglindor të ishullit, u projektua në vitin e largët 1943 për të strehuar të sëmurët me lebrozë.
Pas Luftës Civile Spanjolle në vitet 1930, u shfaqën rreth 200 raste me këtë sëmundje në Telerife. “Ilaçi” i vetëm ishte izolimi, pasi në atë kohë nuk kishtë shërim. Arkitekti spanjoll José Enrique Marrero Regalado ishte ai që projektoi këtë vend, duke zgjedhur një zonë të veçuar nga pjesa tjetër e ishullit. Besohej se ajri i ngrohtë i detit do të ndihmonte në largimin e baktereve. Aty u ndërtuan 40 ndërtesa, përfshirë edhe një kishë, një spital, si dhe një krematorium.
Megjithatë, në vitin 1945, para se të përfundonte qyteza, u gjet kura për trajtimin e lebrozës. Ky zbulim bëri që ndërtimi të ndalet dhe qyteza mbeti e braktisur. Në vitin 1960, vendi u përdor si një kamp ushtarak, ndërsa më pas, plani ishte që zona të kthehej në një atraksion turistik pasi toka u ble nga një italian, por ndryshimi nuk ndodhi kurrë dhe zona mbeti e shkretë.