Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu kanë inspektuar punimet për rindërtimin e kompleksit të ri spitalor në Kukës, ku ka vijuar puna pavarësisht situatës së pandemisë.
Investimi prej 3 milion euro për këtë spital pritet të përfundojë para afateve, brenda këtij viti.
“Faza e parë e këtij investimi është drejt përfundimit. Është formësuar tashmë urgjenca e re, me të gjithë shërbimin e triazhit. Në këtë fazë të parë përfundon edhe rehabilitimi i tre sallave të reja të kirurgjisë. Do të ketë tunele që lidhen me maternitetin dhe shërbimet e tjera”, tha Manastirliu.
Kompleksi i ri spitalor do të ketë edhe maternitetin e ri, i cili do të vendoset në godinën që sot shërben për urgjencat.
“Brenda kompleksit spitalor do të ndërtohet edhe materniteti i ri me një kapacitet prej 43 shtretër dhe 21 dhoma shtrimi, i cili do të lidhet me bllokun e kirurgjisë me korridor. Faza e dytë është parashikuar të përfundojë në prillin e vitit që vjen, por sipas punës së bërë ndërtimi do të përfundojë brenda vitit”, tha Manastirliu.
Në spitalin e Kukësit nuk ishte vënë dorë prej katër dekadash dhe ky investim parashikon rindërtimin dhe rehabilitimin e plotë të kompleksit modern spitalor, për të garantuar shërbime cilësore për qytetarët, afër vendbanimit.
Sa i përket situatës së COVID19 në Kukës, Ministrja e Shëndetësisë tha se rezultojnë të shëruar 5 rastet e importuara nga Kosova dhe tashmë edhe Kukësi do të jetë zonë e gjelbër.