Janë bërë publike pamjet nga atentati në Shkodër ndaj Gjergj Ndështriqaj dhe kunatit të tij Gjon Nika. Të dy shpëtuan me plagosje të lehta nga 80 plumba që u qëlluan në drejtim të tyre.
Siç shihet edhe në këto pamje, autorët hapin zjarr në momentin që Ndërshtiqaj dhe Nika zbresin nga makina.
Aq shumë herë qëllojnë sa makina shpërthen në flakë. Teksa 30-vjeçari Nika gjen strehë larg automjetit, 28-vjeçari Ndërshtiqaj shihet në pamje, teksa tenton të fshihet pas automjetit me të cilin erdhi. Në momentin që makina shpërthen në flakë, ai largohet disa metra më tutje, sërish duke tentuar që të gjejë strehë. Ndërkohë plumbat e kanë lënë të plagosur.
Në këtë moment, autorët e ngjarjes largohen me shpejtësi me makinë, duke qëlluar në ajër.
Në këtë atentat mafioz dyshohet të kenë marrë pjesë 3 persona.
Goditja për shkak të detyrës së Gjergj Ndërshtiqajt në polici, apo e vëllait të tij, Marjan Ndërshtiqaj si Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Shkodër, është pista kryesore ku grupi hetimor po punon për të zbardhur këtë atentat.
Gjatë marrjes në pyetje dy të plagosurit në ngjarje dëshmuan se nuk kanë probleme dhe se nuk e dinë se kush mund t’i ketë qëlluar.