“Brexit” mund të rrisë numrin e vdekjeve nga sëmundjet e zemrës dhe infarktet, e kjo për shkak të rritjes së çmimit të frutave dhe perimeve të importuara.
Në këtë përfundim kanë dalë një grup shkencëtarësh, që e kanë publikuar studimin e tyre në “British Medical Journal”. Shkencëtarët thonë se, popullata në Britaninë e Madhe do të reduktojë përdorimin e frutave dhe perimeve, pas një rritjeje të detyrueshme të kostos, pasi vendi të dalë nga Bashkimi Europian më 29 mars.
Kjo do të çojë në mundësi më të mëdha që popullata të preket nga sëmundjet kardiovaskulare.
Duke e përshtatur studimin me 4 skenare të ndryshme të “Brexit”-it, shkencëtarët zbuluan se një skenar pa marrëveshje do të ishte më vdekjeprurësi, pasi do të rriste numrin e viktimave si pasojë e sëmundjeve kardiovaskulare me më shumë se 12 mijë gjatë dekadës së ardhshme.
Kjo është ekuivalente me një rritje prej 2 për qind të vdekjeve nga sëmundje të tilla.
“Politikat tregtare të pas ‘Brexit’-it do të çonin në rritje çmimesh dhe reduktim të përdorimit të frutave dhe perimeve, duke shtuar vdekshmërinë nga sëmundjet kardiovaskulare në Britani”, thanë autorët e studimit, nga “Imperial College London”, Universiteti i Liverpoolit dhe Universiteti Mjekësor i Gdanskut.
Qeveria britanike, sipas shkencëtarëve duhet të marrë në konsideratë pasojat e “Brexit”-it te shëndeti i popullatës, gjatë negociatave të ardhshme dhe planifikimeve të pas-Brexitit, veçanërisht sa i takon ndryshimeve në sistemin e ushqimit.