Bota “Brexit mund të ndalet”, Tusk citon fjalët e John Lennon

“Brexit mund të ndalet”, Tusk citon fjalët e John Lennon

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk deklaroi se ai ka ende shpresa për një kthim pas të Brexit, pavarësisht se negociatat zyrtare nisën këtë javë.

Politikani polak u pyet nga disa miq britanikë nëse kishte një mënyrë për të ndalur daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE.

“Unë u thashë se në fakt Bashkimi Europian u ndërtua mbi ëndrra që dukeshin të pamundura për t’u arritur”, tha Tusk, duke shtuar dhe një citim nga kënga ‘Imagine’ e John Lennon. “Pra kush e di? Ju mund të thoni se jam një ëndërrimtar, por nuk jam i vetmi”.

Liderët e Bashkimit Europian kanë fituar më tepër besim pas zgjedhjes së Macron në Francë.

Sipas Tusk, BE është duke u parë gjithmonë e më tepër si zgjidhje se si problem.

Deklarata e tij erdhi disa orë para takimit të liderëve të BE në Bruksel për të diskutuar sigurinë dhe terrorizmin. Megjithatë në diskutime pritet të dominojë edhe tema e Brexit, pasi kryeministrja britanike Theresa May është e vendosur të caktojë fatin e qytetarëve europianë që jetojnë në MB.

Presidenti i Këshillit u shpreh se procesi i negociatave do të jetë i vështirë, por BE është e përgatitur mirë. Ende nuk dihet nëse do të arrihet një marrëveshje ndëshkuese, e butë, apo nëse nuk do të ketë marrëveshje në fund të afatit dy-vjeçar.

Megjithatë Tusk u shpreh mikpritës për Britaninë, në rast se ajo do të zgjidhte të qëndronte në union.

“Sigurisht që dera mbetet e hapur, gjithmonë e hapur derisa negociatat e Brexit të mbarojnë”.