Për atë që njihet si masakra e Fushë Krujës ku kumbi jetën Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha, drejtësia shqiptare kërkon ndihmë nga autoritetet sllovene. Prokuroria e Tiranës ka nisur letërporosi në drejtim të autoriteteve të drejtësisë së këtij shteti.
Hetuesit kanë identifikuar përmes kamerave të sigurisë një automjet që dyshohet se ka vëzhguar viktimat dhe ka informuar autorët për çdo lëvizje të tyre. Makina sipas hetuesve është me targa sllovene dhe për këtë arsye është kërkuar ndihmë përmes letërporosisë.
Prokuroria kërkon që të marrë sa më shumë të dhëna, se kujt i përket kjo makinë nëse është e vjedhur, apo dhe mënyra se si ka hyrë në vendin tonë. Gjithashtu grupi hetimor nuk përjashton mundësinë që targat të jenë vjedhur në Slloveni.
Të hënën bëhet një vit nga masakra që tronditi vendin. Pas breshërisë së automatikëve, trupat e dy prej të rinjve u dogjën brenda makinës. Ende grupi hetimor nuk ka mundur të identifikojë autorët e këtij krimi.
Organi i akuzës është duke analizuar qelizat e celularëve të disa personave të skeduar për krime të rënda, të cilët dyshohen se janë përfshirë në këtë ngjarje. Hetuesit kanë dyshime se Brilant Martinaj u vra për shkak të përplasjeve të grupeve kriminale.
Ai është kushëriri i Ervis Martinajt i njohur si ‘mbreti’ i lojërave të fatit. Ky i fundit rezulton i zhdukur që prej datës 7 Gusht të 2022. Martinaj u denoncua nga xhaxhai i tij pasi kishin humbur kontaktet me të. Prokuroria ende nuk ka një përgjigje për fatin e bosit të lojërave të fatit./Klan News