Një i ri shqiptar është dënuar me 16 muaj burg nga një gjykatë në Britaninë e Madhe pasi u kap në një fabrikë kanabisi. A. Zonja, u arrestua më 15 Janar të këtij viti pas një operacioni të policisë në Spennymoor. Kjo erdhi si pasojë e aktiviteteve dyshuese në një shtëpi dhe erës së rëndë që vinte jashtë saj.
Kur autoritetet shkuan atje panë shqiptarin, i cili sapo pikasi policët u mundua të fshihej. Oficerët hapën derën me forcë dhe gjetën shqiptarin të fshehur në papafingo.
Ata zbuluan 210 rrënjë kanabis në banesë. Katër dhoma ishin mbushur plot me bimë të madhësive të ndryshme. Gjithashtu ato ishin pajisur me sistem ndriçimi, ujitjeje dhe pajisje të tjera që shërbenin për kultivimin e drogës.
Shqiptari deklaroi pas arrestimit se kishte paguar 10 mijë paund në Shqipëri që të merrte dokumente false dhe të mbërrite në Mbretërinë e Bashkuar. Por kur arriti u dërgua në Manchester ku një “i afërm” i tha të punonte në fabrikën e kanabisit.
Ai kishte për detyrë ujitjen e bimëve. Zonja u tregoi autoriteteve se kishte bërë marrëveshje që të merrte 20% nga fitimi i shitjes së lëndës narkotike. 27-vjeçari pranoi se u mor me prodhimin e drogës së klasit B.
Avokati i tij mbrojtës tha se ai kishte rol të vogël në këtë operacion dhe arsyeja pse u bë pjesë e kësaj skeme ishte për të paguar borxhin.