Në Britaninë e Madhe deri tani janë testuar 243 421 persona për Covid-19, shkruan “The Guardian”.
Prej tyre, 65 077 kanë rezultuar pozitivë dhe numri i personave të pranuar në spital me simptoma është 16 784.
Numri i viktimave të reja nga koronavirusi është 881, duke e çuar në 7 978 numrin e përgjithshëm të viktimave.
Dominic Raab lexoi “aktin e shkeljes së rregullave” për britanikët përpara fundjavës me diell të Pashkëve, duke thënë se bllokimi duhet të qëndrojë në fuqi.
Sekretari i Jashtëm britanik, i cili tani po kryen funksionin e Kryeministrit Boris Johnson për sa kohë ai qëndron i shtruar në spital, tha që sëmundja nuk duhet të lejohet të “vrasë më shumë njerëz dhe të dëmtojë vendin tone”.
Në një mesazh të rreptë, Raab tha: “Ne nuk kemi mbaruar ende. Ne duhet të vazhdojmë kufizimet”.
Sidoqoftë, ministrat po përballen me një reagim në rritje për të paraqitur ‘planin e daljes’ të koronavirusit, midis frikës së dëmtimit masiv të ekonomisë. “Ne do të marrim vendimet e duhura, në momentin e duhur, dhe do të jemi të udhëhequr nga shkenca”, tha Raab, cituar nga “Mail“.
Kjo deklaratë u bë pasi ai takoi komitetin Cobra për krizën ndaj koronavirusit.
Ndërkohë Kryeministri Boris Johnson vazhdon të qëndrojë në kujdes intensiv në spital. Sipas njoftimeve zyrtare, Johnson po “vazhdon të përmirësohet” dhe ka qëndruar edhe ulur duke “u angazhuar” me stafin mjekësor në spitalin “St. Thomas”.