Gjykata Supreme në Britani hedh poshtë vendimet e Ministrisë së Brendshme, Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Apelit për heqjen e shtetësisë britanike për shtetasit shqiptarë që e kanë përfituar duke pretenduar se ishin nga Kosova, raporton Ora News.
Për të shkuar në këtë vendim, autoritetet britanike shqyrtuan rastet e disa personave, të cilët kishin gënjyer në lidhje me kërkesën për azil me pretendimin se ishin shtetas nga ish-Republika Jugosllave e Kosovës në atë kohë.
Bëhet fjalë për shtetasit Kaziu, Hysaj dhe Bakijasi, të cilët kishin shkuar në Britani ose duke ndryshuar emrat, ose mbiemrat, ose moshën e tyre, por origjina ishte e njëjtë; Kosova, e cila në periudhën deri në vitin 1999 ishte në gjendje lufte.
Por, më vonë mashtrimet e tyre dolën në dritë dhe Sekretari i Shtetit vendosi që në secilin rast, dhënia e nënshtetësisë britanike të konsiderohej e pavlefshme dhe për pasojë, ata nuk mund të konsideroheshin qytetarë të ligjshëm të Britanisë.
Ankuesit e vendimit ishin shtetasit shqiptar Dinjan Hysaj dhe Agron Bakijani, të cilët padisnin “Secretary of State for the Home Department”.
Më shumë se 300 shqiptarë kanë përfituar azil në këtë formë.
Në rastin e Gjykatës Supreme, avokatët e financuar nga shteti për emigrantët thonë se pavarësisht nga mashtrimi i autoriteteve duke pretenduar se ata ishin kosovarë që iknin nga persekutimi, ata duhet të lejohen të qëndrojnë në MB.
Gjykata Supreme lejoi ankesat duke pranuar se shqiptarët që paditën autoritetet ishin shtetas britanikë me natyralizim sipas Nenit 6 (1) të Aktit të Nënshtetësisë britanike të vitit 1981 dhe se kjo shtetësi mbetet e vlefshme. Gjykata ka pranuar gjithashtu që fëmijët e tyre të konsiderohen shtetas britanikë.
Gjykata Supreme konstatoi se vendimet e Sekretarit të Shtetit ishin të pavlefshme dhe se pretendimin se “ata nuk kishin qenë kurrë shtetas britanik”, të gabuara.
Në këtë mënyrë, Gjykata Supreme arriti në përfundimin se vendimet e mëparshme të gjykatave do të anulohen.
Gjykata e Lartë ka sqaruar tashmë ligjin në lidhje me zbatimin e parimeve të “privimit” të Shtetësisë Britanike dhe “pavlefshmërisë” duke anashkaluar autoritetin e mëparshëm të Gjykatës së Apelit. Kjo do të ketë pasoja shumë të mëdha duke pasur parasysh se ka shumë raste që janë pezulluar në gjykatat më të ulëta.