Bota Britania blen 90 milion doza të tjera të vaksinës anti-Covid nga francezët...

Britania blen 90 milion doza të tjera të vaksinës anti-Covid nga francezët dhe gjermanët

Tashmë është zbuluar arsyeja pse para pak ditësh Londra nuk pranoi ftesën e Bashkimit Europian për të hyrë në platformën e vaksinave kundër koronavirusit në Unionit (pavarësisht Brexit).

Mbretëria e Bashkuar kërkon të ketë dorë të lirë në blerjen e sa më shumë dozave të vaksinave të ndryshme që mund të jenë potencialë, duke qenë se ende nuk është provuar efikasiteti. Por e rëndësishme është të arrish e para dhe të grumbullosh rezerva. Kështu që sot Londra deklaroi se ka blerë 90 milion doza të tjera, përveç 100 milion të prenotuara nga AstraZeneca për vaksinën e Oksford. Por këtë herë Londra i ka blerë dozat nga dy prodhues të ndryshëm: 30 milionë nga  gjermanët BioNTech që po zhvillojnë një vaksinë sëbashku me gjigantin amerikan Pfizer dhe pjesën tjetër nga vaksina potenciale e francezeve të Valneva.

Nëse vaksina rezulton efikase, e sigurtë dhe e përdorshme, Britania do të blejë dhe 40 milionë doza të tjera. Mikael Dolsten, shkencëtar i Pfizer, thotë: “Nxit sistemin tonë imunitar duke e trajnuar për një kundërpërgjigje të shpejtë, të atyre që ne i quajmë antitrupa apo qeliza imunitare. Tani trupi është gati. Ka kujtesë dhe sapo virusi real të trokasë në derë për të na infektuar, ne i përgjigjemi shpejt duke e ndaluar të zgjerohet në një popullatë virale që kërcënon jetët tona”.

Kushtet financiare të kësaj marrëveshjeje nuk janë zbuluar. Më herët, Britania e Madhe rezervoi dhe 100 milionë doza të një vaksine tjetër që po zhvillohet nga Universiteti i Oksfordit në bashkëpunim me kompaninë Astra Zeneca. Megjithatë, është akoma e pasigurtë nëse ndonjë nga këto vaksina do të rezultojnë efikase në ndalimin e përhapjes së Covid-19. Por, arritja e një të tille shikohet si shansi më i mirë i rikthimit të normalitetit në jetët tona.

Rusia krijon versionin e saj

Ndërkohë, duke qëndruar tek vaksina kundër koronavirusit të ri, Rusia planifikon të prodhojë 30 milionë doza këtë vit. Kjo erdhi pas përfundimit të testimit tek njerëzit këtë javë, me kërkuesit që njoftuan se është e sigurtë në përdorim dhe se nxit një kundërpërgjigje të sistemit imunitar. Rusia do të kalojë në fazën e tretë të testimit shumë shpejt, ndërsa është në bisedime me vendet e Lindjes së Mesme për një bashkëpunim në prodhimin e vaksinës.