Rusia e pengoi me VETO rezolutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që synonte t’i jepte fund pushtimit rus të Ukrainës.
Rezoluta mori 11 nga 15 votat e anëtarëve. Por ajo që ra në sy ishte vota abstenim e Kinës, e cila mendohej se do t’i jepte mbështetje Moskës.
Edhe India dhe Emiratet e Bashkuara Arabe abstenuan.
Megjithatë, përpjekjet diplomatike nuk do të ndalen. Rezoluta do të kalojë edhe në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, por votimi aty nuk është detyrues.
Perëndimi vijon të japë mbështetjen për Ukrainën. Holanda vendosi të dërgojë 200 raketa kundër ajrore, ndërsa Çekia nisi municione në drejtim të Ukrainës.
Britania gjithashtu është gati për të nisur armë të tjera.
Kryeministri Boris Johnson shpërndau një video-mesazh drejtuar popullit rus në të cilën shprehet se nuk beson që kjo luftë është nën emrin e tyre e po ashtu ai u premton mbështetje qytetarëve ukrainas.
“Populli i Mbretërisë së Bashkuar qëndron me vëllezërit dhe motrat tona ukrainase përballë këtij sulmi të pajustifikueshëm ndaj atdheut tuaj. Ne përshëndesim trimërinë dhe patriotizmin e ashpër të qeverisë, ushtrisë dhe popullit tuaj”.
Në Francë, Presidenti Emmanuel Macron deklaroi se lufta në Ukrainë do të zgjasë dhe do të ketë pasoja, duke nënvizuar se Vladimir Putin ka vendosur në mënyrë të njëanshme të rikthejë konfliktin në Europë. Perëndimi po e shton presionin dhe mjaft vende po i bashkohen thirrjes për ta larguar Rusinë nga sistemi bankar Sëift, çka konsiderohet si një “bombë bërthamore” për financat ruse.