Sipas gazetës britanike “The Independent”, qeveria e Boris Johnson ka planin për ti bërë presion FIFA-s për të përjashtuar Rusinë nga Botërori Katar 2022.
Gjithnjë sipas The Independent, objektivi (i njëjtë edhe me qeveri të tjera) është kthimi i Rusisë në një vend të “padëshiruar” ndërkombëtarisht, deri në atë pikë sa lufta të bëhet një politikë e brendshme ruse e papërballueshme.
Ndërkohë, Polonia ka refuzuar të luajë kundër Rusisë në play-off për Botërorin.
Presidenti i Federatës Polake të Futbollit, Cezary Kulesza, ftoi edhe Suedinë dhe Republikën Çeke të bëjnë të njëjtën gjë.
”Jo më fjalë, por koha për të vepruar! Për shkak të përshkallëzimit të agresionit të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, kombëtarja polake nuk ka ndërmend të luajë ndeshjen e play-off-it kundër Rusisë. Jemi në bisedime me federatat suedeze dhe çeke për një deklaratë të përbashkët në FIFA”, tha Kulesza.
Këtë vendim e kanë miratuar të gjithë lojtarët e kombëtares polake.