Më shumë se 40 emigrantë shqiptarë që u përpoqën të hynin në Britani me varkë, janë kthyer mbrapsht në Shqipëri. Daily Mail shkruan se 42 persona u dëbuan nga Britania e Madhe ndërsa kanë mbërritur sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”.
Mësohet se 32 persona nga të dëbuarit ishin të dënuar në total prej 89 vitesh burg për trafik droge dhe hyrje ilegale në Britaninë e Madhe. 10 të tjerët kishin shkelur vizën ose ishin futur më parë në Britaninë e Madhe në mënyrë të paligjshme. 3 nga të larguarit kishin mbërritur në Angli me gomone dhe u shoqëruan menjëherë nga oficerët britanikë. Mendohet se ky është fluturimi i katërt në pak javë që deporton shqiptarë në shtetin ballkanik.
Në nëntor po ashtu u dërguan në shtëpi 26 shqiptarë të dënuar në total me 24 vite për vepra të ndryshme penale. Akuzat që rëndojnë ndaj 42 shqiptarëve të fundit që janë kthyer në Shqipëri kanë të bëjnë me prodhim e furnizim droge, posedim të një arme zjarri, vjedhje, posedim prone në mënyrë të paligjshme, dokumenta të falsifikuara etj.
Ky rast është një hap më shumë në përpjekjet e ministrave për të larguar sa më shumë shqiptarë pasi kryeministri Rishi Sunak u zotua të depërtonte ‘mijëra’ prej tyre në muajt e ardhshëm. Ai zbuloi një plan me pesë pika për të trajtuar krizën e Kanalit javën e kaluar.
Kujtojmë se janë mbi 13,000 shqiptarë që kanë mbërritur në Britani me varka të vogla që nga fillimi i vitit. Kthimi i shqiptarëve do të bëhet më i lehtë pasi Tirana i dha Britanisë së Madhe ‘garanci formale’ se do të merrnin masa ndaj personave me precedentë kriminalë.
Zyrtarët presin që shifrat e këtyre largimeve të rriten sërish në pranverë.