Bota Britania e Madhe miraton vaksinat kineze, pasagjerët mund të udhëtojnë lirisht

Britania e Madhe miraton vaksinat kineze, pasagjerët mund të udhëtojnë lirisht

Mbretëria e Bashkuar do të shtojë vaksinat kineze Sinovac dhe Sinopharm dhe Covaxin të Indisë në listën e vaksinave të miratuara, duke bërë të mundur që personat të cilët kanë marrë këto vaksina të mund të udhëtojnë lirisht drejt saj.

“Nga ora 4:00 e mëngjesit të së hënës, më 22 nëntor, vaksinat kundër Covid-19 të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, (por jo nga EMA) do të njihen dhe të gjithë personat nën 18 vjeç që vijnë në Angli do të trajtohen si plotësisht të vaksinuar në kufi”, thuhet në një deklaratë.

Në Mbretërinë e Bashkuar, pasagjerëve që janë vaksinuar plotësisht dhe kanë marrë certifikatën e tyre të vaksinës nga një prej mbi 135 vendeve dhe territoreve të miratuara nuk u kërkohet të bëjnë një test para nisjes, testin e ditës 8 ose të izolohen pas mbërritjes.

Sekretari britanik i Shëndetësisë, Sajid Javid, tha se njoftimi i ri është një hap përpara për industrinë e udhëtimeve, bizneset dhe për familjen dhe miqtë që kërkojnë të ribashkohen, ose të shkojnë jashtë vendit.

“Lista e kuqe dhe sistemi i karantinës mbeten jetike në mbrojtjen e kufijve tanë dhe siç kemi thënë, ne nuk do të hezitojmë të ndërmarrim veprime, duke shtuar vendet në listën e kuqe nëse është e nevojshme”, shtoi ai.

Vaksinat e kompanive Sinovac dhe Sinopharm, edhe pse të njohura si të sigurta nga raportet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nuk janë ende të miratuara nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA), duke kufizuar lëvizjen e miliona personave, edhe nga vendi ynë.

Në Britani, presioni ka ardhur veçanërisht nga presioni i vendeve si Emiratet Arabe dhe India, me lidhje të forta biznesi dhe emigracioni në Britaninë e Madhe, që po ndikonte edhe në ekonominë vendase.