Britania e Madhe mbështetur mbi Regjimin e saj të Sanksioneve Globale Anti-Korrupsion ka listuar si non grata 27 individë të përfshirë në korrupsion serioz në mbarë botën, ndër ta edhe shqiptarë.
I dërguari i posaçëm i Britanisë së Madhe në Ballkanin Perëndimor Sir Stuart Peach ka deklaruar se këtë javë këta shqiptarë janë përballur me këtë vendim që nuk iu lejon hyrjen në këtë ishull mbretëror.
“Mbështetur mbi Regjimin tonë të Sanksioneve Globale Anti-Korrupsion ne kemi listuar 27 individë të përfshirë në korrupsion serioz në mbarë botën. Një regjistër i ri i Subjekteve Jashtë Vendit do të krijohet mbi Aktin e Krimit Ekonomik, që u kërkon të gjithë atyre që fshihen pas kompanive të huaja dhe që zotërojnë prona në Mbretërinë e Bashkuar të bëjnë publik identitetin e tyre. Individët që dëmtojnë shoqërinë dhe shtetin e tyre do të kenë pasoja dhe nuk do të jenë të mirëpritur në Mbretërinë e Bashkuar”.
I dërguari i posaçëm i Britanisë së Madhe në Ballkanin Perëndimor ka deklaruar se pavarësisht arrestimeve të disa zyrtarëve nga SPAK dhe BKH, ka të tjerë që vijojnë të veprojnë sikur të ishin të pa ndëshkueshëm për shkeljet e tyre dhe ndihen sikur ligji nuk zbatohet në mënyrë të barabartë për këdo. Britanikët theksojnë se krahas reformës në drejtësi, tani nevojiten ndryshime të tjera si reforma zgjedhore.
“Siç tregon edhe raporti i OSBE-së për monitorimin ndërkombëtar të zgjedhjeve të vitit të kaluar, blerja e votës dhe keqpërdorimi i fondeve publike vazhdon të jetë një problem madhor në politikën shqiptare.
Për aq kohë sa politikanët janë në gjendje të bashkëpunojnë me kriminelët për të blerë, shantazhuar dhe kanosur votuesit, demokracia shqiptare do të mbetet e brishtë dhe e paplotë”.
Peach thotë më tej se krimi i organizuar dhe korrupsioni në Shqipëri dhe më gjerë në rajon ndikon që pjesa më e madhe e fondeve publike, të mbledhura nga taksapaguesit e thjeshtë, të mos arrijnë kurrë tek shkollat, spitalet dhe rrugët që u nevojiten qytetarëve.