“Zoti e shpëtoftë Mbretin” u intonua në kancelarinë gjermane. Kjo ishte pritja me nderime të larta që Olaf Scholz i rezervoi kryeministrit britanik, Keir Starmer, në vizitën zyrtare në Berlin për të kthyer faqen e rëndë të Brexit.
Shefi i qeverisë britanike ka nisur zyrtarisht turin e tij në Gjermani dhe Francë, në përpjekje për të rifilluar nga e para marrëdhëniet e krisura me Europën.
Laburisti Starmer arriti që në bisedën e parë me Scholz të bëjë që Britania e Madhe dhe Gjermania të jenë sërish dy shtete mike, duke lënë pas përplasjet e qeverisë së kaluar konservatore.
Dy liderët folën për një të ardhme të ndritur përmes një traktati të ri me përfitime në shkencë, teknologji, zhvillim, tregti dhe biznes.
“Jam i kënaqur që Keir Starmer po kërkon fillim të ri në marrëdhëniet me Bashkimin Europian. E mirëpresim këtë dorë të shtrirë. Mbretëria e Bashkuar ka qenë gjithmonë një pjesë e pazëvendësueshme e zgjidhjeve për çështjet më të mëdha që prekin mbarë Europën. Kjo nuk ka ndryshuar as pasi Britania la BE-në”, tha Scholz.
“Fillimi i ri me Bashkimin Europian nuk nënkupton kthimin e Brexit me rifutjen në tregun e vetëm apo heqjen e kufijve. Nënkupton vetëm raporte të ngushta në disa fronte, përfshirë ekonominë dhe mbrojtjen”, tha Starmer.
Starmer dhe Scholz u pajtuan për një plan për të luftuar emigracionin e paligjshëm, veçanërisht të linjave me gomone.
“Do të thellojmë bashkëpunimin në sfidat sociale të përbashkëta, si emigracioni i paligjshëm, pasi nuk mund të shkatërrojmë bandat e trafikantëve pa ndihmën e partnerëve tanë”, tha kryeministri britanik.
Në bisedimet në Berlin, kryeministri britanik bëri të ditur se do të punohet në një traktat që mbulon çështjet nga mbrojtja deri tek tregtia.
Britania dhe Gjermania, vende anëtare të NATO-s dhe shpenzuesit më të mëdhenj në fushën e mbrojtjes në Europën Perëndimore, po kërkojnë mënyra për të rritur bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes përpara mundësisë që Shtetet e Bashkuara të pakësojnë mbështetjen ushtarake për Ukrainën nëse republikani Donald Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë në fillim të vitit të ardhshëm.
Liderët e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe u zotuan që të mbështesin Ukrainën për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.